​Hovenier: Do të mbështesim procesin gjyqësor në Ukrainë kundër krimeve të Rusisë

24/02/2023 17:17

“Rusia është duke kërcënuar stabilitetin global dhe ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë ambasadori amerikan Jeff Hovenier, duke shtuar se për këtë po paguan edhe çmimet.

Në një-vjetorin e fillimit të invazionit rus, ai shtoi se individët që kanë kryer këto krime dhe ata që janë bashkëpunëtorë do të mbajnë përgjegjësi. Hovenier tha se populli i Kosovës e kupton se si është të ballafaqohesh me shkelje nga një fuqi tjetër.

Pasditen e së premtes para studentëve të Juridikut, Hovenier u shpreh se para një viti Ukraina u zgjua me zërat e alarmeve dhe shpërthimin e bombave. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

“Sot bëhet një vit që kur Putin filloi pushtimin e tij brutal në shkallë të plotë të Ukrainës. Ky ishte një sulm i cili pa marrë parasysh se sa inteligjencë të avancuar kishim apo paralajmërime që i jepnim, ishte një tronditje e pabesueshme për rendin tonë botëror, për sistemet dhe strukturat ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë vendosën me kujdes për të parandaluar veprime të tilla të njëanshme, kërcënime të tilla për paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të të gjithë Evropës. Në këtë ditë, këtë ditë solemne, pikërisht pas një viti, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja dhe partnerët tanë e kanë mbështetur Ukrainën në betejën e saj kundër tiranisë ruse, me vendosmëri dhe qëllim doja të vija këtu sot për të biseduar me ju dhe të themi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë, do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, dhe siç ka thënë vazhdimisht Presidenti Biden, për aq kohë sa ka nevojë”, ka deklaruar Hovenier.

Hovenier ka shtuar se me invazionin rus, Putini ka lansuar një luftë të plot dhe të paprovokuar për të marrë një territor nga një shtet sovran duke shkelur zotimet politike dhe globale.

“Sulmi i gjithanshëm i Rusisë ndaj infrastrukturës civile ka shkatërruar plotësisht rreth 500 institucione arsimore si ky, dhe ka dëmtuar dy mijë e pesëqind të tjera. Por gjatë vitit të kaluar ky agresion nuk është ndalur vetëm në infrastrukturën civile. Forcat ruse kanë kryer sulme të përhapura dhe sistematike kundër popullatës civile të Ukrainës, akte të tmerrshme vrasjesh, torturash, përdhunimesh dhe deportimesh të detyruara, vrasje të stilit të ekzekutimit, elektrifikim të civilëve të pafajshëm, gjë që është barbare, është çnjerëzore… 14.50 Shtetet e Bashkuara janë të vendosura se këto janë krime kundër njerëzimit dhe se individët që kanë kryer këto krime dhe ata që janë bashkëpunëtorë do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të vazhdojmë të mbështesim hetimet ndërkombëtare, si dhe procesin gjyqësor në Ukrainë kundër krimeve të Rusisë, sepse drejtësia duhet të vendoset, dhe në emër të të gjitha viktimave, të njohura dhe të panjohura, drejtësia do të vendoset”, u shpreh ai.

Derisa ka folur për sanksionet ndaj Rusisë, ai ka përmendur edhe pozicionimin e Kosovës.

“Ju u keni ofruar strehë ukrainasve që ikin nga lufta, u keni dhënë një shtëpi, mendoj se aktualisht janë 12 gazetarë ukrainas, duke i lejuar ata të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri, dhe të sigurohen që informacioni i saktë dhe i vërtetë të jetë i qasshëm. Ju keni qëndruar me ne, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar për këtë regjim sanksionesh, dhe unë ju kam parë, ju keni dhënë atë që keni mundur, qoftë veshje apo fushata për mbledhjen e fondeve, për të demonstruar se ku qëndron Kosova, dhe për të demonstruar se me kë qëndron Kosova. Tani, këto veprime mund të duken të vogla në vetvete, por kur i bashkoni në çdo qytet, qytezë dhe vend, duke bërë këto deklarata solidariteti, ato mund të shtohen në diçka mjaft të madhe, dhe më saktë askush më shumë në këtë botë se ju populli i Kosovës e kuptoni se si është të përjetosh nënshtrimin nga një fuqi tjetër. Ju e dini se si është, ju e dini se çfarë do të thotë kur të tjerët përpiqen të përcaktojnë të ardhmen tuaj, ju e dini se sa të rëndësishme janë këto manifestime të dukshme të solidaritetit”, ka thënë ai.

Më tej, Hovenier ka theksuar edhe tri çështje në lidhje më luftën në Ukrainë, ku tha se Rusia ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Rusia është duke kërcënuar stabilitetin global dhe ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, kjo është e para. Rusia është duke paguar çmimin për këto veprime, kjo është e dyta. Dhe përgjigja e përbashkët si dhe gatishmëria për të qëndruar fortë bashkë është kuptim plot dhe ka efekt, kjo është e treta”, ka vijuar Hovenier.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka thënë se agresioni brutal i Rusisë ka shkaktuar shumë humbje jetësh të ukrainasve, duke theksuar se janë bërë shkelje të rënda të ligjit të të drejtave të njeriut.

“Të qenit në një shkollë juridike e bën këtë një vend ideal për të folur për sulmin ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, e cila filloi pikërisht një vit më parë, më 24 shkurt 2022. Agresioni brutal dhe i pakuptimtë ka shkaktuar shumë humbje jetësh njerëzish dhe ka shkaktuar vuajtje njerëzore në Ukrainë, janë kryer shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit të të drejtave të njeriut. Pasi i ka përjetuar vetë këto, Kosova është një nga vendet e para të Ballkanit Perëndimor që ka lidhur politikën e saj të jashtme me miqtë dhe aleatët e saj perëndimorë kundër agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës”, ka përfunduar ai.

Një vit më parë, Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Deri më tani ka me dhjetëra mijëra njerëz që kanë vdekur, e qytete të shkatërruara, ndërkohë që me miliona qytetarë janë larguar nga vendi. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA