“Kemi kërkuar dy komisione hetimore”/ Boçi- Nikollës: I merrni urdhrat nga kryeministri që i nguli thikën marrëdhënieve me SHBA

23/02/2023 10:43

Deputeti Luciano Boçi ka kërkuar në Kuvend që kryeministri Rama të jetë urgjentisht i pranishëm në seancë plenare.

Boçi tha se kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla po shkel Kushtetutën, me urdhër të kryeministrit Rama. Ai tha se ky i fundit i ka ngulur thikën marrëdhënieve me SHBA për shkak të lidhjes së tij me ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal.

Deputeti tha se është kërkuar ngritja e dy komisione hetimore, i pari për çarterat nga 35 deputetë, i dyti për çështjen Rama-McGonigal nga 44 deputetë.

Luciano Boçi: Si mundet që ju znj.kryetare, keni urdhëruar që ata të mos futen në mbledhjen e Byrosë. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të deputetit. Neni 65 e përcakton qartë në pikat e tij që deputeti që ankimohet për vendimin duhet të jetë prezent, ose duhet të jetë përfaqësuesi i tij ligjor.
Si mundet ju znj.kryetare që flisni në emër të rregullores të shkelni rregulloren dhe të vini këtu sikur nuk ka ndodhur asgjë me atë qetësinë olimpike të korruptuarit nga kryeministri.
Kryeministrit tradhtar siç e kemi cilësuar ne, kjo është e vërteta se urdhrat nga ai i merrni. Pastaj t’i futemi procedurës së të drejtave tona. Kemi kërkuar që nga java e kaluar seancë pyetjesh, është urgjente e përcaktuar nga nenet e rregullores, ku kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë.
Kemi dy javë që e kërkojmë. Kemi kërkuar dy komisione hetimore znj.drejtuese e seancës, dhe Komisionet Hetimore janë të firmosura. I pari për çarterat ga 35 deputetë, i dyti për çështjen Rama-McGonigal nga 44 deputetë. E ka Kushtetuta neni 77 pika 2. Është kjo Kushtetuta që të mban ty aty. Që e mban Shqipërinë këtu të korruptuar. Pse e shkel Kushtetutën dhe më tregon mua rregulloren, më përjashton?
Pse e shkelni ju Kushtetutën znj. drejtuese e seancës? Pse e shkelni ju nenin 25? Që e cilëson saktë fare, kur ¼ e deputetëve kërkon ngritjen e këtij komisioni?
Kush është ky që del në studio televizive dhe thotë: unë nuk ngre Komisione Hetimore. Jeni apo nuk jeni ju drejtuese këtij vendi që de facto ne dimë se kush është, por të paktën de jure ushtron autoritetin tënd, sepse ne kemi kërkuar komision hetimor për një çështje madhore që është shqetësimi kryesor i shqiptarëve . Për atë thikën në zemër që i keni ngulur marrëdhënieve me SHBA. Se ju ishit ato dy vite pro-amerikanët.
I harruat ato rublat që na përmendit, çdonjëri nga ju ishte i orientuar nga rublat. Jeni ju ata që keni cënuar marrëdhëniet me Amerikën, jo ne.
Çfarë ka bërë Edi Rama, asgjë më shumë asgjë më pak se Enver Hoxha në 45-sën, dhe ju ndërkohë vazhdoni të njëjtën histori.
U sulmua siguria e Shqipërisë nga disa hacker-a, dhe të gjithë këtu morëm vendimin, e miratuam, e përshëndetëm për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin si shtet terrorist. Kurse Rama personalisht ka goditur sigurinë e SHBA, duke korruptuar kryeagjentin e FBI, dhe ndaj atij personi ka nisur një hetim në SHBA. Është ngritur një komision në SHBA, dhe ju pengoni Komisionin Hetimor në Parlamentin e Shqipërisë.

Albana Vokshi: Ortaku i tij McGonigal është në burg në Amerikë. Edhe Edi Rama, atje e ka vendin. Mos u lodhni kot! Ju ftoj të distancoheni deputetë të ndershëm, nëse ka mbetur ndonjë socialisit. Distancohuni nga Edi Rama. Ejani të ngrejmë sot Komisionin Hetimor! Dhe komisioni pastaj të dalë me sugjerime, me rekomandime e kështu me radhë. 24 deputetë keni përjashtuar znj.Nikolla. Nuk ka turp më të madh. 24 deputetë që do të shtohet numri sot, jam e sigurt. 24 deputetë që përfaqësojnë më shumë se 250 mijë minimumi, e shumë më tepër qytetarë, të cilët pengohen nga punonjësit e gardës me urdhrin tuaj. Pra, sot ky parlament ka rënë. Ky nuk i përket më popullit. Nuk mbron më interesat e populit, jo. Mbron vetëm interesat e një njeriu, vetëm interesat e Edi Ramës. Ankohet Edi Rama se flet opozita anglisht, por pohoi për fatin e tij të keq, ka folur akuza amerikane, ka folur në anglisht. 14 herë përmendet emri i kryeminstrit të Shqipërisë Edi Rama në aktakuzën e drejtësisë amerikane. 250 mijë dollarë më e pakta për ish-zyrtarin e FBI. Zonja kryetare e di që prekeni kur ju preket Edi Rama. Kryeministri i vendit më të varfër në Europë, korrupton një ish-drejtues të FBI.

Top Channel