Nuk ka pranuar asgjë përpara Dhomave të Specilizuara me seli në Hagë, ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala që akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar ne Kukës, ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe njëri prej tyre u vra.

Shala i cilësoi të fabrikuara akuzat e paraqitura ndaj tij e tha se nëse në këtë gjykatë, ka drejtësi vërtet, ai do të shpallet i pafajshëm.

“Kam dy fjalë për Prokurorin, jo për fyerje, sepse nuk e kam edukatë të fyej askënd. Jetoj prej 25 vitesh në Belgjikë, një shtet demokratik. Detyra e prokurorit aty ku unë jetoj është të hulumtojë, të zbulojë provat, t`i paraqesë ato e të kërkojë drejtësinë, por në asnjë mënyrë të sajojë, të fabrikojë, madje aty ku jetoj unë kjo përbën vepër penale”, tha Shala.

Avokati i tij mbrojtjes, Jean-Louis Gilissen, iu përgjigj pretendimeve të prokurorisë duke thënë se i pandehuri kurrë nuk ka sulmuar civilë serbë. “Ai është ish pjesëtar i UÇK-së, nuk është kriminel”, u shpreh juristi, që shtoi se klienti i vet s’ka pasur asnjë dijeni për ndonjë qendër ndalimi në ish-fabrikën e metalit në Kukës.

“Zoti Shala luftoi kundër mbase nuk ka bërë asgjë më tepër sesa ka ushtruar një prej të drejtave më të shenjta, që do të thotë të mbrojë vetën. Ai asnjëherë nuk e ka sulmuar asnjë anëtar të popullsisë civile serbe, apo ndonjë person vetëm për faktin se ishte serb, ai nuk është kriminel. Kjo çështje penale nuk ka informacion të mjaftueshëm, është e mbështetur në thashetheme”, tha avokati mbrojtës, Jean-Louis Gilissen.

Prokurori Alex Whiting u tha gjykatësve se Shala ka kryer vrasje duke marrë pjesë në rrahjen e një personi dhe më pas e ka qëlluar atë në këmbë, duke bërë që viktima të ndërronte jetë disa orë më vonë për shkak të hemoragjisë.

Top Channel