Bujqësia, dega që zë gati një të pestën e ekonomisë kombëtare po tkurret me shpejtësi. Një tregues që paralajmëron përkeqësimin e situatës në skemën e pensioneve.

Të dhëna zyrtare tregojnë se tkurrja e sektorit vjen më shumë nga sektori i blegtorisë. Tkurrja e popullsisë në zonat rurale është bërë shkak për rënien e numrit të bagëtive. Fermat e vogla blegtorale me 1 deri në tre krerë po tkurren me shpejtësi, jo vetëm nga pakësimi i popullsisë, por edhe nga plakja e saj

“Po të kesh parasysh kontributin në ekonomi, bujqësia dhe fermerët kanë nevojë për një rregullim. Ulje të moshës së pensionit social dhe ndryshimin e koefiçientit për ata që kanë punuar në sistemin e kaluar” u shpreh Eduart Sharka, Ekspert Financiar

Të vetëpunësuarit në bujqësi kanë një problematikë të re që lidhet me plotësimin e dosjeve me dokumente. Aktualisht fermerët duhet të paguajnë tarifa dhe të plotësojnë dokumentacionin on line. Për këtë kategori të shoqërisë është e vështirë të adaptohen me teknologjinë, aq më tepër në një moshë pensioni.

“Shkojnë të zyrat e ISSH askush nuk i ndihmon i përcjellin dhe i thonë shko te E-albania. Duhet ndërhyrë sepse është një target grup që nuk mund ta ketë këtë shërbim nga e-albania dhe të hiqen tarifat që paguhen. Shteti e ka obligim që të ndërmarrë masa sociale për këtë target grup sepse kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë kombëtare pavarësisht se nuk është faji i fermerëve shqiptarë që 90% e trasnaksioneve në sektorin e bujqësisë janë informale” u shpreh Eduart Sharka, Ekspert Financiar.

Skema për fermerët ka një problematikë që edhe në rastet kur fermerët janë të deklaruar, derdhja e kontributeve mbetet pa zgjidhje afatgjatë. Pra, regjistrimi me NIPT, jo domosdoshmërisht sjell detyrimin për të paguar kontribute.

Top Channel