Inside Story/ Emigrimi dhe plakja e shpejtë popullsisë po thyejnë raportin kontribues-përfitues në skemën e sigurimeve

22/02/2023 21:55

Shqipëria po plaket dhe po shpopullohet. Kjo do të thotë më pak potencial i ri për punë. Raporti mes kontributorëve dhe pensionistëve po pëson një anomali të rëndë.

Në këtë situatë, çdo vit e më shumë paratë e taksapaguesve shkojnë për të financuar skemën e pensionit.

Por, si kemi arritur deri këtu dhe farë ka shkuar keq për Shqipërinë. Skemat e pensioneve u krijuan pas luftës së dytë botërore sipas principit “pay as you go”!

Ata që ishin në punë, paguanin taksa dhe kontributë në mënyrë që të moshuarit të mos mbeteshin peng i vullnetit për të bërë bamirësi apo për tu mbajtur nga fëmijët. Skema sipas kësaj logjike qëndronte më këmbë sepse numri i pensionistëve ishte shumë i kufizuar. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte në marrëdhënie pune.

Raporti i atyre që përfitonin pension, me ata që kontribuonin ishte në favor të kontribuuesëve. Por, vit pas viti raporti mes kontributorëve dhe përfituesve nisi të thyhej. Pak a shumë, kjo ka ndodhur edhe në vendin tonë. Kjo problematikë ka lindur dekadat e fundit, kur emigracioni ka zbrazur vendin dhe lindshmëria është ulur.

Sipas INSTAT, më 1 janar 2022 popullsia e Shqipërisë rezulton 2.79 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 3,9 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme për shkak të migracionit.

Ajo që është më shqetësuesja është fakti se popullsia e Shqipërisë është plakur me gati 5 vjet në dekadën e fundit mes viteve 2012-2022.

Në vitin 1990 mosha mesatare ishte 27 vjeç. Tani pas 33 vjetësh, mosha mesatare në Shqipëri është 38 vjeç. Shqipëria nuk ka ende popullsinë më të plakur të Europës, por ka ritmet e plakjes më të shpejta. Vendi ynë po plaket më shpejt sesa vendet e tjera si Portugalia, Greqia, Italia, Spanja, Gjermania etj.

Sot, jemi të dytët pas Moldavisë për ritmet e plakjes së popullsisë. Referuar EUROSTAT, vendet e Bashkimit Europian janë plakur mesatarisht 2.2 vite gjatë periudhës 2012-2021, pra, dy herë më pak se Shqipëria. Sipas projeksioneve të INSTAT, popullsia do të vazhdojë procesin e plakjes dhe mendohet që mosha mesatare e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031.

“Në mënyrë që pensionet të mbahen në nivelet ekzistuese, duhet që një punonjës, përveç pagës së tij, të nxjerr edhe pagën e një pensionisti. Me ndryshimet e ardhshme demografike ky raport mund të shkojë edhe më keq. Që do të thotë se aritmetika bëhet e pasuportueshme”, u shpreh eksperti i ekonimisë, Selami Xhepa
Parashikimet ishin mjaft pesimiste edhe në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të publikuar pak kohë më parë.

Përllogaritjet tregonin se grupmosha 65 vjeç e lart do të rritet me gati 20% deri në 2050-ën. Ndëkorhë, mosha 0-19 vjeç do të ulet me më shumë se 10% për shkak të lindshmërisë së ulët dhe emigracionit. Në këtë situatë, skema e pensionit kërcënohet gjithmonë e më shumë. Të dhënat tregojnë se në vitin 1970, për 10 pensionistë punonin 74 persona. Thënë ndryshe, 1 pensionistë për 7 punëtorë.

Top Channel