Prerësit ilegalë dënohen 28 vjet për vrasjen e katër indigjenëve ambjentalistë në Amazonën e Perusë (fotot)

21/02/2023 17:54
Dru te prere ilegalisht ne lumin Putaya, mes komuniteteve Ashaninka, Saweto e Puerto Putaya

Mes viktimave ishte dhe aktivisti mjedisor Edwin Chota – i cili ishte torturuar për vdekje në pyjet e Amazonës peruane në vrasjet e vitit 2014.

Pesë prerës ilegalë druri dhe biznesmenë në Peru janë dënuar me nga 28-vjet burg për vrasjen e katër liderëve të popujve vendas indigjenë, mes të cilave dhe aktivisti i njohur në mbrojtje të pyjeve tropikale Edwin Chota, në një fitore të rrallë për mjedisin dhe aktivistët, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

Rreth tetë vjet pas vrasjeve të vitit 2014, gjykata e Pucallpa në zonën e Amazonës peruane shpalli fajtorë prerësit e druve Eurico Mapes Gómez dhe vëllezërit Segundo e Josimar Atachi Félix, për vrasje në kushte të rënduara, duke i dënuar me 28 vjet e tre muaj burg.

Gjykata dha gjithashtu dënim të njëjtë dhe për biznesmenët e drurit Hugo Soria Flores e José Estrada Huayta, si planifikues të vrasjeve, që ishin një nga krimet më të rënda kundër aktivistëve të mjedisit në historinë moderne të Perusë.

Gjykatësi tha se viktimat – Chota, Leoncio Quintisima, Jorge Ríos e Francisco Piñedo – ishin torturuar para se të vriteshin në Amazonën peruane, pranë kufirit me Brazilin.

Chota, lideri i popullatës Alto Tamaya-Saweto, një komunitet etnik Ashéninka në rajonin Ucaiali të Amazonës, kishte luftuar për të drejtën e njerëzve ndaj tokës së tyre dhe për largimin e prerësve të drurit që bastisnin pyjet pranë kufirit me Brazilin.

I ndjeri ishte shfaqur në një dokumentar të rrjetit National Geographic dhe në New York Times ku detajonte kërcënimet e bëra ndaj tij dhe anëtarëve të komunitetit të tij.

Në kohën e krimit katër banorët indigjenë ishin duke shkuar drejt komunitetit Apiwtxa, i njohur gjithashtu si etnia Ashéninka, ngjitur me kufirin e shtetit brazilian Acre.

“Ata janë të lumtur me dënimet pas kaq vitesh përpjekjesh e kërcënimesh”, tha e veja e Leoncio Quintisima, Lita Rojas, për rrjetin britanik The Guardian, me telefon nga fshati i saj. Komunitetit u ishte dhënë gjithashtu formalisht toka prej rreth 80,000 hektarësh në korrik 2015.

“Vendimi i shumëpritur është një kujtesë për rreziqet me të cilat përballen aktivistët e mjedisit indigjen”, tha Shruti Suresh, aktivisht i grupit monitorues Global Witness.

Më shumë se 1,700 mbrojtës mjedisorë apo indigjenë janë varë në të gjithë botën dekadën e fundit, thotë grupi i tij, shumica e të cilëve në rajonin e Amazonës mes Brazilit, Perusë e Venezuelës.

FOTO GALERI
1/3
Edwin Chota, aktivisti i vrare me tre te tjere ne mbrojtje te burimeve natyrore te komunitetit te tij

Top Channel