Bashkia e Tiranës po harton një plan 5-vjeçar për transformimin e mëtejshëm të transportit publik, ndaj po zhvillohen edhe dëgjesa me të gjithë operatorët e kësaj fushe.
Kryebashkiaku Erion Veliaj teksa shpjegoi se si do te funksionojnë linjat e dedikuara të autobusëve tha se do të ndërtohen korsi të dedikuara.
“Kur flasim për “Bus Rapid Transit”, pra për lëvizjen e shpejtë të autobusëve, propozimi nuk është për të mbajtur këtë sistem që kemi, por të kalojmë në autobusë me dy artikulacione – të cilat disa prej jush i kanë futur, sidomos “Tirana e Re” dhe “Kombinati”, – dhe të shkojmë në një situatë ku linja të jetë e dedikuar, ku të jetë e pamundur të futet dikush tjetër. Pra, bëhet fjalë për të pasur 3 linja që funksionojnë si shinat e një trami. Investimi nuk është i vogël, ndaj duam të marrim mbështetje nga KFË-ja” , tha Veliaj.
Me këtë sistem, shtoi Veliaj, shpejtësia e autobusëve do të dyfishohet, e po ashtu edhe numri i qytetarëve që nuk do përdorin makinat për lëvizjen në përditshmërinë e tyre.
“Edhe pse njerëzit e pranojnë që janë dyfishuar autobusët dhe ka rënë koha e pritjes në stacion, prapë një nga ankesat është që autobusët ecin ngadalë. Në momentin që linja e dedikuar i çon nga 9.5 në 19.4 kilometra në orë, pra praktikisht i çon më shumë sesa dyfish të shpejtësisë së mëparshme, kjo përgjysmon edhe kohën e ciklit. Nëse sot ciklin e ke 54 minuta, të shkon në 24 minuta dhe volumi i pasagjerëve, duke futur këto lloj mjetesh, shkon nga 9 mijë në 23 mijë udhëtarë në orë. Unë besoj se është një arritje e jashtëzakonshme cilësore” , tha Veliaj.
Linjat e shpejta të autobusëve pritet të nisin funksionimin në muajt e verës.
Top Channel