Protestat masive që vazhdojnë prej javësh të tëra, nuk e kanë zmbrapsur nga qëndrimi i tij presidentin francez Emmanuel Macron, i cili nënvizoi se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga planet për reformën e pensioneve.
“Njerëzit thellë-thellë e dinë se duhet të punojmë pak më gjatë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’i financojmë pensionet tona siç duhet. Nëse nuk krijojmë pasuri, nuk kemi sesi e shpërndajmë atë“, tha Macron.
Reformat, shtoi Macron, nuk kanë alternative sepse publiku as nuk dëshiron të paguajë kontribute më të larta dhe as nuk pranon ulje të pensioneve.
Planet për rritjen e daljes në pension nga mosha 62 në 64 vjeç përbëjnë praktikisht reformën më të madhe të mandatit të tij të dytë presidencial.
Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e francezëve janë kundër një plani të tillë, i cili ka bërë që prej javësh tashmë, një numër i madh njerëzish të dalin nëpër rrugë për të shprehur pakënaqësinë tyre.
Franca llogaritet të ketë moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror nga të gjitha ekonomitë e mëdha europiane. Pas zbritjes së taksave, pensioni mesatar atje është 1.400 euro në muaj.
Top Channel