Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë për 6 efektivë “Shqiponja” të cilët po gjykohen për shpërdorim detyre në ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Prokuroria kërkoi që 6 efektivët e repartit “Shqiponja” të mbahen në “arrest shtëpie” pasi organi i akuzës ka prova që këta të fundit ishin kishin informacion se struktura për mbrojtjen e votës në Partinë Demokratike ishte një strukturë e armatosur e megjithatë nuk u mor asnjë masë.
Kujtojmë se fillimisht efektivët shqiponja u pezulluan nga detyra dhe më pas gjykata vendosi rikthimin e tyre në detyrë ndërkohë që hetimet vijojnë.
Por në seancën e radhës prokuroria kërkoi një masë më të ashpër sigurie ndaj punonjësve të policisë.
“Ekzistojnë prova që Prokuroria paraqiti në seancë se kanë pasur dijeni për ekzistencën e furgonave të strukturës të mbrojtjes së votës dhe që Arbër Paplekaj ka qenë i armatosur me armë. Për sa i përket të resë lidhur me sinjalizimin që është drejtuar nga ana time Prokurorisë për mundësinë e ekzistencës së rrezikut të jetesës për njërin nga dëshmitarët që realisht ka dëshmuar në këtë proces ju bëj me dije se nga ana e drejtuesit të Prokurorisë njoftohet se çështja I është besuar prokurorit dhe policisë e cila po administron çështjen”, tha avokatja e familjes Xhuvani, Rezarta Tahiraj.
Në seancën e radhës në datë 24 shkurt pritet që Gjykata e Elbasanit të vendosë ekzekutimin e masës së kërkuar të sigurisë, ndërkohë sot avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me pretendimet e prokurorisë.
Në të njëjtën seancë gjykohen edhe dy ish nëndrejtorë të policisë së Elbasanit të cilët fillimisht ishin në arrest shtëpie ndërsa tashmë po ndiqen në gjendje të lirë, me të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.
Në 21 prill të vitit 2021 në Elbasan, një konflikt mes dy grupimeve mbështetëse të PD e PS, degradoi në përdorimin e armëve. I vrarë mbeti Pjerin Xhuvani mbështetës i PS ndërsa u vetëdorëzua për krimin Arbër Paplekaj truprojë e drejtuesit politik të PD në Elbasan në atë kohë Gazmend Bardhi.
Top Channel