Herën e fundit që Presidenti Joe Biden foli nga oborri i Kështjellës Mbretërore në Poloni, përmbajtja e fjalimit të tij 27-minutësh u përmblodh kryesisht tek rreshtat e kushtuar presidentit rus Vladimir Putin në fund.
“Për hir të Zotit“, tha ai, “ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet”.
Gati një vit më vonë, shefi i Shtëpisë rikthehet në Poloni për të shënuar përvjetorin e luftës që e ka vënë përballë udhëheqësit rus në një dinamikë gjithmonë e më të ngjashme me atë të Luftës së ftohtë, të theksuar akoma edhe më shumë nga vizita tejet sekrete e Biden në Kiev një ditë më parë.
Duke qëndruar përkrah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Biden e përdori praninë e tij në kryeqytetin ukrainas për të vënë në lojë Putinin dhe dështimin e ambicieve të tij për të pushtuar dhe kontrolluar Ukrainën.
Biden: Lufta e Putinit po dështon. Ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe perëndimi i përcare. Them se nuk e mendon më këtë tani.
Vetë shefi i Kremlinit mbajti sot një fjalim madhor përpara përvjetorit të pushtimit në 24 shkurt, ku fajësoi Perëndimin me pretendimin se ishte ai që e provokoi konfliktin, ndërsa shtoi se SHBA-ka dhe aleatët e saj kërkojnë pushtet pa limit.
Putin: Ukraina dhe Donbasi janë kthyer në simbolin e gënjeshtrave totale dhe deklaratave hipokrite, zgjerimin e NATO-s dhe mbulimin e Rusisë “me një ombrellë. Dua të përsëris: janë ata që janë fajtorë për luftën dhe ne po përdorim forcën për ta ndalur atë. Vetë populli i Ukrainës është kthyer në pengun e regjimit të Kievit dhe mentorëve të tij perëndimorë, të cilët në fakt e kanë pushtuar këtë vend në kuptimin politik, ushtarak dhe ekonomik. Regjimi atje nuk po u shërben interesave të tyre kombëtare.
Putini ka vazhduar t`i referohet luftës në Ukrainë si “operacion special” e iu kthye po kështu edhe pretendimeve se Perëndimi “u hapi rrugën” nazistëve për të marrë pushtetin më 1930 dhe që prej shekullit të 19-të, ka tentuar të shkëpusë trojet historike nga shteti ynë , “atë që sot njihet si Ukrainë”.
Pak gjëra tha ai mbi kombin në këtë fjalim, pjesën më të madhe të të cilit e shfrytëzoi për të kritikuar ndërkombëtarët.
Top Channel