Ndërsa raketat ruse vazhdojnë të godasin infrastrukturën dhe rrjetin energjetik të Ukrainës, shkencëtarët ukrainas në qytetin Sumy shpresojnë të fillojnë prodhimin masiv të teknologjisë për energjinë diellore.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Olena Adamenko, objektivi është që nëpërmjet energjisë diellore të ruhet furnizimi me energji i vendit.Që nga fillimi i sulmit të Rusisë, shkencëtarët nga qyteti ukrainas Sumy kanë punuar për të zhvilluar burime alternative të energjisë – një domosdoshmëri kjo pasi lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkatërruar pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës energjitike të vendit.

Banorët shpresojnë që shkencëtarët do të jenë në gjendje të ndihmojnë.

“Fqinjëve të mi u pëlqen ajo që po bëjmë; thonë “Do të jemi mirë për sa kohë kemi Oleksiyn pranë!”, thotë Oleksiy Drozdenko, nga Universiteti Shtetëror në Sumy.

Vetë banor në këtë qytet, ai përfiton energji dhe e ndan edhe me të tjerët, falë paneleve diellore të instaluara në çati.

“U telefonojmë garazheve që merren me makinat e shkatërruara në Kiev, në Kharkiv, dhe u kërkojmë të na shesin bateritë e ringarkueshme që janë ende funksionale. Shpresojmë që në vazhdim t’u ofrojmë energji në mënyrë krejt të pavarur 3-4 shtëpive çdo ditë, për gati 10 dhjetë orë”, thotë zoti Drozdenko.

Ai është zëvendës drejtor i departamentit të shkencave kompjuterike në Universitetin Shtetëror në Sumy dhe thotë se ekipi i tij në universitet shpiku panele diellore të lëvizshme.

Çdo njësi e lëvizshme me panele diellore kushton më pak se 4 mijë dollarë. Ato po prodhohen në masë në disa pjesë të Ukrainës, përfshirë në rajonet Vinnytsia dhe Volyn.

“Mund t’i ofrojmë energji çdo pike kontrolli, spitali fushor apo postkomande në një zonë ku nuk ka elektricitet. Një person mundet ta bëjë gati paisjen për 5-7 minuta”, thotë zoti Drozdenko.

Paisja përbëhet nga gjashtë panele diellore, si dhe bateri të thjeshta makinash të vendosura në qendër të saj.

Paisjet jo vetëm që mbledhin energji dhe e depozitojnë atë, por edhe e konvertojnë në një burim të përdorshëm energjie.

“Elementi i tretë është një paisje që bën të mundur që bateritë të punojnë siç duhet dhe që na mundëson lidhjen edhe me burime të tjera energjie, si gjeneratorët”, thotë zoti Drozdenko.

Ai thotë se banorët në qytetin Sumy po instalojnë panele diellore.

“Kam parë disa njerëz që instalojnë panele diellore në shtëpitë e tyre, në çatira, në kopshte dhe që gjejnë mënyra për t’i lidhur me bateritë. Pra, është një hap drejt të qenit krejtësisht autonomë”, thotë zoti Drozdenko.

Inxhinierët në qytetin Sumy po punojnë gjithashtu për të përmirësuar edhe vetë panelet diellore, duke përdorur materiale të reja që mund të ulin koston dhe mund t’i bëjnë më miqësorë për mjedisin./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA