“Lërmë, lërmë”, 77-vjeçari në gjendje të rënduar psikologjike, vrau djalin dy ditë më parë

20/02/2023 09:56

Shefki Bylykbashi, 77-vjeçari i cili dy ditë më parë vrau djalin e tij 50-vjeçar pritet të njihet sot me masën e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë.

I pandehuri ka mbajtur kokën të mbuluar me duar, por policët që e shoqëronin e kanë detyruar të qëndronte drejt.

Të shtunën në fshatin Zvezdë të Maliqit babai i moshuar vrau djalin me çekiç pas një grindjeje të lindur për shkak të konsumit të alkoolit.

Familja e deklaroi ngjarjen si aksidentale por ekspertiza mjeko-ligjore provoi se Hamdi Bylykbashi ishte goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas policia arriti të zbardhte të vërtetën.

50-vjeçari Hamdi Bylykbashi në gjendje të dehur ka debatuar me të dy prindërit në oborrin e banesës së tyre, në qendër të fshatit.

Në debat e sipër sipas policisë viktima ka tentuar të hedhë babanë e tij Shefkiun në pusin i cili ndodhet në oborrin e banesës.

Pasi është shmangur, i moshuari ka arritur të marrë një çekiç i cili ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe me të ka goditur disa herë në kokë djalin e tij të vetëm.

Kryeplaku i fshatit, Adriatik Lilo tha se pas kthimit nga Franca ku jetonte si emigrant, 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi konsumonte rregullisht alkool ndërsa babai vuante nga skleroza.

Sakaq pas arrestimit Shefki Bylykbashi në gjendje të rënduar psikologjike, ka pranuar vrasjen e të birit.  Ai ka deklaruar para policisë, se nuk ka pasur konflikt për asnjë arsye me të birin, por fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA