Presidenti ukrainas Volodimyr Zelensky e ka telefonuar menjëherë shefin e Elizese, Emmanuel Macron pas pohimeve të bëra nga ky i fundit për gazetën ‘Le Journal du Dimanche’ ku tha se Franca donte ta shihte Rusinë të mundur në Ukrainë, por jo të shkatërruar.
Sipas Sky News, presidenti francez e ka garantuar homologun e tij mbi synimin e NATO-s për të dërguar armë në Ukrainë. Zyra e Macronit pohoi përmes një deklarate se të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu vizitat e fundit të Zelensky-t në Londër, Paris dhe Bruksel.
Kreu i shtetit francez ka ripohuar gjithashtu mbështetjen e tij për një propozim paqeje prej 10 pikash të paraqitur nga Zelensky gjatë bisedës së tyre telefonike. Ndërkohë, intervista e tij ka shkaktuar pakënaqëi dhe në Moskë.
Edhe pse ai e bëri të qartë se dëshiron ta shohë Rusinë të mundur në Ukrainë, por jo ta “shtypin” atë në tokën e saj, komentet e tij mbi Vladimir Putinin ngjallën reagimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, e cila tha se deklaratat e udhëheqësit francez ishin ‘absurde’ dhe tregonin se Perëndimi po fliste për ndryshim të regjimit në Rusi.
Macron kishte folur për gazetën se kush mund të ishte një alternativë për udhëheqës të Rusisë. “Të gjitha opsionet e tjera, përveç Vladimir Putinit, në sistemin aktual, më duken më të këqija”, tha udhëheqësi francez për gazetën, duke nënkuptuar se në kushte normale, nuk priste një ndryshim të regjimit. Rusia e udhëhequr nga Vladimir Putin, sulmoi Ukrainën më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Top Channel