Në vendin tonë shërbimi i psikologut zyrtarisht daton në vitin 1996, me hapjen e departamentit të parë të Psikologjisë në Universitetin e Tiranës.
Megjithëse prej gati 3 dekadash tek njerëzit ka një lloj turpi apo stigme për të kërkuar ndihmën e profesionistëve të shëndetit mendor.
“Unë kam 20 vjet që punoj si psikologe. Nga vitet 2005 e deri në 2015 qasja ndaj psikologut ka qenë e paktë. Turp dhe frikë evidentojmë edhe tek njerëz të shkolluar. Në Tiranë situata është e tillë, që njerëzit po e pranojnë përherë e më shumë rëndësinë e rolit të psikologut. Por sa më shumë që i largohesh kryeqytetit aq më shumë rriten barrierat dhe paragjykimet. Madje ka zona që nuk e kanë idenë fare çfarë është psikologu. Pandemia bëri që njerëzit ta kuptojnë rëndësinë e profesionit tonë. Ka edhe njerëz të mirëshkolluar madje, që ngatërrojnë rolin e psikologut me atë të psikiatrit”, tha Valbona Treska, presidente e “Urdhrit të Psikologut të Republikës së Shqipërisë”.
Sot Urdhëri i Psikologut të Shqipërisë numëron 1500 psikologë në gjithë vendin. Së fundi shërbimi i Psikologut ka nisur të ofrohet në Qendrat Shëndetësore duke i ardhur më afër komunitetit.
“Pjesa më e madhe e njerëzve gati 90% që bëjnë terapi tek psikologu, nuk duan të merret vesh kjo gjë. Ashtu siç ka edhe të tjerë që e shfrytëzojnë për mirë ndikimin që kanë në opinion dhe japin mesazhe që i nxitin njerëzit të sheshojnë barrirat dhe të kërkojnë ndihmën e psikologut. Nuk ka asnjë lloj frike dhe asnjë lloj turpi të shkosh tek psikologu. Siç kujdesemi për shëndetin tonë fizik e kemi të detyrueshme të kujdesemi edhe për shëndetin tonë mendor”, shtoi Treska.
Top Channel