Pas vizitës së tij në Turqi, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka mbërritur pasditen e së hënës në Athinë dhe është takuar në zyrën kryeministrore me kreun e qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis.

Agjenda e bisedimeve me liderin grek sipas burimeve qeveritare ka pasur në qendër zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet greko-turke, megjithëse vlerësimi i Athinës është se dy fqinjët po hyjnë në një periudhë ku tonet do të jenë më të buta, për shkak të tërmeteve vrastare në Turqi. Vend të rëndësishëm kanë zënë në bisedë marrëdhëniet greko-amerikane si dhe çështja e Ukrainës.

 “Kjo luftë e paprovokuar ka testuar aleancën tonë, por unë mendoj se ne kemi qenë në gjendje të përgjigjemi në mënyrën më të përshtatshme .Ju e dini që Greqia e ka mbështetur gjithmonë Ukrainën, gjithashtu duke ofruar ndihmë ushtarake. Është shumë e qartë se duhet të dërgojmë një sinjal se çdo formë revizionizmi dhe ndryshimi i kufijve me forcë nuk mund të tolerohet nga bashkësia ndërkombëtare e shteteve demokratike’- tha kryeministri Mitsotakis.

“Jemi tashmë në një vit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, por partneritetet, aleancat, që kemi krijuar, janë të forta në mbështetje të saj  dhe unë duhet të duartrokas lidershipin e Greqisë si ndër të parët që i dhanë mbështetje Ukrainës në atë zonë, për tu rikthyer demokracia e cila po sfidohet nga agresioni rus. Jam këtu edhe për të inauguruar Dialogun e Katërt Strategjik mes vendeve tona, që është një mjet për të forcuar realisht edhe më shumë partneritetin që kemi në baza dypalëshe.”– tha sekretari Blinken.

Blinken që ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se është vizita e tij e parë në vendlindjen e demokracisë ka theksuar se SHBA e shohin Greqinë si  një qendër të sigurisë energjetike në rajon, në një moment madje kur marrëdhëniet dypalëshe  janë në nivelin më të mirë.

Përveç takimit me homologun e tij Nikos Dhendias mëngjesin e së martës në inagurimin e raundit të 4-të të Dialogut Strategjik Greqi-SHBA dhe konferencës për shtyp, në agjendën e vizitës është përfshirë edhe takimi me kreun e opozitës greke Aleksis Tsipras.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA