Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e ish-zyrtares Alda Klosi për zbutje të masës së sigurisë dhe vendosi ta lërë në burg.
Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e Alda Klosit, ish drejtoreshë e koncesioneve dhe ish drejtoreshë e kabinetit të ish ministrit Arben Ahmetaj për të lënë ambientet e paraburgimit.
Ish zyrtarja që kallëzoi pastruesen se i kishte vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, do të vijojë të hetohet nën arrest me burg për akuzat e pastrimit të parave, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë para policisë. por avokati i saj bën me faj policinë se nuk ishte profesionale sa duhet për ta pyetur se të kujt ishin paratë që u vodhën, të cilat pretendohet se i përkisnin xhaxhait të saj të ndjerë.
“Gjykata e Apelit vlerësoi të rregullt edhe kërkesën duke lënë në fuqi arrestin me burg. Qëndrimi i saj është bërë publik, ka pranuar faktin se banesa është vjedhur, nga të cilat 120 mijë janë një hua që vëllai i saj ka marrë për nevoja të kurimit të xhaxhait të saj të ndjerë në Amerikë. Gjithçka në të ardhmen do të kompensohej me një truall në zonë pranë “21 Dhjetorit”. Prokuroria para disa ditësh ka bërë një sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit të saj. Prokuroria duhet të provojë deklaratën. Duhet të provohet vërtetësia e deklarimit të dhënë nga Rozeta Dobi. Alda Klosi kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore pas ndalimit. U shtrua dhe u kurua në spital në QSUT. Doli nga spitali në gjendje disi të përmirësuar, por sipas kartelës klinike të lëshuar nga mjekët, duhet të jetë në vëzhgimin e mjekëve, pasi ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj”, tha avokati.
Megjithatë pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulin se i morën paratë për ti ruajtur, e veç tyre edhe 400 mijë euro të fshehura në aspirator.
Kjo shumë e ka bindur prokurorinë se duhet të hetojë nëse ish zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni
Avokati kërkoi lirinë me arsyetimin se klientja e tij Alda Klosi është nënë e dy fëmijëve për të cilët po kujdeset nëna e moshuar, nuk ka rrezikshmëri shoqërore.
Klosi tha avokati gjatë masës me dyer të mbyllura, ka qenë funksionare dhe asnjëherë nuk është hetuar për ndonjë krim dhe kjo është rrethanë lehtësuese sipas mbrojtjes.
Në dosjen që Top Channel disponon përmendet dëshmia e pastrueses Dobi që sipas gjykatës përshkruan me detaje pasuritë e shefes. pastruesja thotë se Alda Klosi e paguante 20 euro në ditë për mirëmbajtjen banesës dhe se punonte pesë ditë në muaj tek ajo . të gjitha bizhuteritë që keni gjetur në shtëpinë time janë të Alda Klosit thotë pastruesja më tej dhe nuk e di ku i ka blerë, ashtu si edhe çanta “Valentino” që e mora tek shtëpia e ish burrit për t’ja dhënë.
Top Channel