Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se “çdo sulm rus, në çdo cep të shtetit tonë do të ketë pasoja konkrete ligjore për shtetin terrorist”.
Gjatë fjalimit të tij me video të postuar mbrëmjen e 18 shkurtit, Zelensky tha se Kievi kishte “marrë sinjale të forta nga partnerët tanë dhe marrëveshje konkrete mbi pashmangshmërinë e mbajtjes së Rusisë përgjegjëse për agresionin dhe terrorin kundër Ukrainës dhe popullit të saj”.
Ai shtoi se angazhime të tilla zbatohen “jo vetëm për të keqen që Rusia ka sjellë që nga 24 shkurti, por edhe që nga viti 2014”, duke iu referuar pushtimit nga Moska të rajonit të Krimesë të Ukrainës dhe nxitjes së një lufte separatiste në pjesë të Ukrainës lindore.
Më 19 shkurt, ushtria ukrainase tha se Rusia vazhdon të kryejë operacione sulmuese në disa zona të Harkivit, Donjeckut dhe Luhanskut. Përveç kësaj, Rusia kreu sulme ajrore kundër infrastrukturës civile në rajonet Hmelnytcky, Dnipropetrovsk, Donjeck dhe Herson, duke përfshirë më shumë se 50 sulme nga raketahedhës të shumtë. Rreziku i sulmeve raketore në të gjithë Ukrainën mbeti i lartë, thuhet në deklaratën e ushtrisë ukrainase.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën në të njëjtën ditë kur nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tha në Konferencën e Sigurisë të Mynihut se “SHBA-ja ka përcaktuar zyrtarisht se Rusia kreu krime kundër njerëzimit” në Ukrainë.
Top Channel