Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë lajmin e mirë se së shpejti do të nisë zbatimin e projektit të linjës së shpejtë të autobusëve, “Bus Rapid Transit”.
Ky model i transportit publik gjendet sot në qytetet më të zhvilluara të Europës, Amerikës dhe Azisë, nga Amsterdami në Çikago, nga Meksiko City në Guangzhou të Kinës.
Në video-mesazhin e javës kushtuar lëvizshmërisë në Tiranë, Veliaj shpjegoi me detaje se si do funksionojnë linjat e shpejta dhe ku do të vendosen ato.
“Lajmi i mirë është se shumë shpejt Tirana nis zbatimin e projektit të “Bus Rapid Transit”, ose ndryshe në shqip, “Linja e Shpejtë e Autobusëve”, që ka mbështetjen e KFW-së dhe GIZ-it gjerman, gjithashtu edhe të Qeverisë Shqiptare. Ky sistem inovativ i transportit publik do të prekë linjat kryesore të qytetit. Pra këtu do të përfshihet Kinostudio-Kombinat, Unaza, dhe linja e Tiranës së Re”, sqaroi Veliaj.
Tre përfitimet kryesore nga ky projekt, sipas Veliajt, do të jenë:
1. Dyfishimi i shpejtësisë së lëvizjes së autobusëve, nga 9-9.5 në 20 km/h.
2. Do përgjysmohet koha e një cikli të plotë që përshkon një autobus i linjës urbane, nga 54 minuta që shkon Unaza do të shkojë në 24 minuta.
3. Kapaciteti i transportit do të rritet nga 9 mijë pasagjerë në orë në 23 mijë udhëtarë në orë.
Veliaj tha se sot transporti publik në Tiranë është ende larg nga të qenit perfekt, por është shumë më mirë se ai që gjeti kur mori detyrën. “Imagjinoni pak, kemi shtuar 3 linja të reja. Rrjetin e transportit brenda qytetit, e kemi rritur në 375Km nga 169km që ishte dhe është rritur nga 8 në 17 numri i linjave rreth-qytetase. Autobusi vinte në stacion mesatarisht çdo 37 minuta në 2015-ën. Sot kjo kohë është ulur në 7 minuta dhe duhet të ulet akoma. Nuk jemi ende atje ku duhet, por me transportin publik gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha ai.
Kryebashkiaku përmendi faktin se përfundimi i Unazës së Madhe do të ndihmojë shumë në uljen e trafikut në të gjitha hyrje-daljet e Tiranës. “Unaza e Madhe duhet të kishte mbaruar, keni të drejtë! Por ne humbëm 3 vjet falë politikës së sherrit dhe të zullumit, të atyre që e kanë kthyer në sport bllokimin e punëve të mira të qytetit”, shtoi ai.
Veliaj nënvizoi se sot në Tiranë janë ndërtuar 58 km korsi biçikletash. Sipas tij, janë shumë për një qytet, ku nuk kishte asnjë centimetër korsi të mbrojtura biçikletash, çka ka sjellë trefishimin e numrit të biçikletave në qytet. “Imagjinoni sikur të ishin edhe ata me makina, do të kishte më shumë trafik”, kujtoi ai.
Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se sot Tirana ka rrugë shumë herë më të sigurta, të pajisura me sinjalistikë, në disa raste trotuare të zgjeruara dhe kangjella mbrojtëse, që makinat të mos hipin sipër. Po ashtu, rrugët kryesore kanë edhe gjithë sinjalistikën e nevojshme, që kanë rritur sigurinë e lëvizjes, si dhe janë krijuar kalimet e sigurta dhe të ndriçuara për këmbësorët.
Top Channel