Policia e Elbasanit ka parandaluar një atentat i cili do të kryhej mbrëmjen e së shtunës në Elbasan ndërsa ka sekuestruar një mjet brenda së cilit ndodheshin 3 armë zjarri tip kallashnikov, dy bidona me benzinë, ndërsa pak metra më tutje, në një çantë, hedhur në një kontenier të mbeturinave u gjet edhe një pistoletë. 

Nga informacionet zyrtare të policisë së Elbasani mësohet se mbrëmjen e së shtunës kishin marrë një informacion që do të kryhej një atentat, e për pasojë policia rriti prezencën e saj në të gjithë qytetin e Elbasanit, duke ushtruar kontrolle edhe në personat e skeduar apo me rreikshmëri në qytet.

Kjo bëri, sipas policisë që atentatorët të intimidoheshin dhe të fshihnin mjetin e tyre, tip BMW X6 pa targa në një magazinë në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e njohur si ish-konservimi në Elbasan dhe më pas të largoheshin.

Rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës policia ka identifikuar mjetin I cili ndodhej pikërisht në këtë magazinë dhe ka sekuestruar armët e zjarrit, me të cilat dyshohej se do të kryhej atentati.

Ende nuk ka asnjë informacion të zyrtarizuar mbi shënjestrën e këtij atentati, ndërsa kanë nisur kërkimet për identifikimin e dy autorëve që ndodheshin në këtë mjet.

Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë që do të kryhej në Elbasan ndërkohë që në këtë zonë janë sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve që pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Policia ka kërkuar korrektësi në dhënien e informacioneve për shkak të ndjeshmërisë së kësaj ngjarje të rëndë.

Elbasan

Falë inteligjencës informative, Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale.

Sekuestrohen 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë marrë informacion se në orët e vona të natës së mbrëmshme mund të ndodhte një ngjarje e rëndë kriminale.

Bazuar në këtë informacion, Policia ka shtuar prezencën në terren, ka ngritur pika kontrolli dhe ka ushtruar kontrolle intensive në disa objekte të cilat dyshohet se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Shërbimet e Policisë morën informacion se si pasojë e presionit të Policisë në terren, shtetasit që do të kryenin ngjarjen kriminale dyshohet se kishin fshehur automjetin që do të përdorej për kryerjen e krimit.

Në këtë kuadër, si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, është gjetur një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Po në vijim të kontrolleve, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, të cilët në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësëor Elbasan, vijojnë punën për të bërë të mundur fiksimin e provave në vendngjarje, hapjen dhe kontrollin e automjetit.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë shoqëruar disa shtetas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Veprimet janë në vijim dhe në përfundim të tyre, do të ketë një informacion përfundimtar.

Policia e Elbasanit kërkon mirëkuptimin e medias që në lidhje me këtë ngjarje, për shkak të rëndësisë dhe konfidencialitetit të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, të mos japin informacion të pakonfirmuar, por të presin rezultatet e hetimit intensiv që po kryhet nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA