Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut,VRMNO – DPMNE, e drejtuar nga Hristjan Mickoski, ka akuzuar njerëzit e afërt me zëvendëskryeministrin e parë të vendit, Artan Grubin për korrupsion.
Partia opozitare publikoi një vilë e cila po ndërtohej në Tetovë dhe që sipas tyre i përket Merita Mustafait, drejtoreshë e zyrës së Metrologjisë në Maqedoninë e Veriut.
Deputeti Mile Lefkov nga VRMNO akuzon se vila që nuk është e pasqyruar në deklaratat e pasurisë së familjes Mustafai, vjen si pasojë e një afere korruptive mes saj dhe një kompanie që ka fituar të drejtën e kontrollit të pompave të karburantit. Sipas tyre ndërtimi i vilës ka filluar një vit pasi kompania fitoi këtë të drejtë.
Por, e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja nga partia e Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e së cilës është Merita Mustafai. Sipas BDI akuzat janë të pavërteta ndërsa akuzuan liderin Micojkski se është në krye të një partie kundër NATO-s dhe BE-së dhe se nuk ka kredibilitet, as mbështetje për të folur e akuzuar për korrupsion, as për të ardhmen e vendit tonë që po e mban peng dhe po e bllokon.
Sipas tyre VRMNO-BDE po bllokon të gjitha projektet e vendit duke e lënë në vendnumëro dhe sipas tyre ky është korrupsioni i vërtetë. Ata vijojnë më tej, madje duke e konsideruar sulmin ndaj Mustafait, si anti-shqiptar dhe një hap për të denigruar figurën e tyre në postet shtetërore.
Top Channel