Në një dhomë të ftohtë në provincën Kandahar në pjesën jugore të Afganistanit, që është edhe vendlindja e lëvizjes talibane, vajzat adoleshente zhyten në tekste islamike përderisa zëri i një studiuesi dëgjohet nga altoparlantët.

Nxënësit presin në radhë për t’i dërguar atij pyetje përmes një adrese elektronike në kompjuterin e përbashkët të klasës në medresenë apo shkollën fetare të vajzave, Taalum-ul-Islam, ku mësimdhënësit burra e kanë të ndaluar ta dëgjojnë zërin e nxënëseve vajza.

Numri i nxënëseve në këtë institucion në qytetin e Kandaharit pothuajse është dyfishuar gjatë vitit të fundit dhe tani ka arritur në rreth 400 nxënëse.

Kjo rritje është nxitur nga vendimi i administratës talibane për t’ua ndaluar vajzave dhe grave ndjekjen e shkollës në shumicën e shkollave të mesme dhe universiteteve laike, siç thanë anëtarët e stafit për Reuters në dhjetor të vitit të kaluar.

Edhe në shkollat e tjera fetare për vajza në Afganistan është vërejtur një ngritje e numrit të nxënëseve, siç mëson Reuters nga vizitat në katër medrese – dy në Kandahar dhe dy në kryeqytetin Kabul – dhe nga intervistat me mbi 30 studentë, prindër, mësues dhe zyrtarë në dhjetë provinca të ndryshme të Afganistanit.

“Për shkak të mbylljes së shkollave, numri i studentëve është rritur për 40 për qind”, tha Mansour Muslim, i cili e udhëheq medresenë në veri të Kabulit, ku kryesisht ka vajza adoleshente. “Tani ne kemi rreth 150 studentë”.

Njëra nga studentet në këtë shkollë, 17-vjeçarja Mursal, thotë se ajo ishte regjistruar tre muaj më parë. Përderisa ajo ishte e kënaqur me mësimet fetare, thotë se ndihej e kufizuar.

“Dua ta përfundoj shkollimin tim”, tha Mursal, prindërit e së cilës kërkuan që të mos i përmendej mbiemri për t’ia ruajtur privatësinë.

“Unë doja të bëhesha mjeke në të ardhmen, por tani mendoj se është e pamundur. Nëse vjen në medrese, mund të bëhesh vetëm mësuese”.

Talibanët rimorën pushtetin në gusht të vitit 2021 pas tërheqjes së papritur të forcave të udhëhequra nga SHBA-ja. Qeveria e re ka deklaruar se synon ta ndërtojë një shoqëri islame të bazuar në ligjin e sheriatit, pas 20 vjetëve sundim relativisht liberal që ishte mbështetur nga perëndimi.

Abdul Maten Qanee, zëdhënës i Ministrisë së Informacionit, i tha Reutersit se qeveria nuk kundërshtonte idenë që vajzat të kenë arsim të mesëm dhe të lartë.

Ministri taliban i Arsimit që është kundër shkollimit të grave
SHBA-ja dhe Britania dënojnë vendimin e talibanëve për ndalimin e shkollimit të grave
Por, ai shtoi se duhej të zgjidheshin disa çështje, si problemet e disa institucioneve me staf me gjini të përzier, vajzave që nuk përmbushnin disa interpretime të veshjes islame dhe vajzat që nuk shoqëroheshin nga kujdestarë meshkuj.

“Ne luftuam për 20 vjet për ideologjinë dhe vlerat tona”, tha ai. “Ne nuk jemi kundër arsimit, ne vetëm duam që rregullat të ndiqen dhe zbatohen dhe të merren parasysh kultura, traditat dhe vlerat e afganëve. Ne duam që femrat të kenë një arsim modern, shoqëria ka nevojë për këtë”, tha ai.

Qanee tha se medresetë ishin të hapura për vajzat e të gjitha moshave. Ai shtoi se një komitet qeveritar po kërkonte shtimin e lëndëve laike në medrese së bashku me studimin fetar, gjë që nuk është raportuar më parë. Ai nuk dha detaje të tjera për punën e komisionit.

Edukimi i vajzave dhe grave është në qendër të përplasjes së administratës talibane me perëndimin. Asnjë shtet i huaj nuk e njeh zyrtarisht administratën talibane. Uashingtoni përmend të drejtat e grave si një pengesë kryesore për normalizimin e lidhjeve dhe zhbllokimin e fondeve shumë të nevojshme.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt mbi pjesëmarrjen e vajzave në medrese. Një zëdhënës, duke iu referuar kufizimeve në shkollë, tha se arsimi ishte një e drejtë e njeriut e njohur ndërkombëtarisht dhe thelbësore për rritjen ekonomike të Afganistanit.

“Islami na jep të drejta”
Rritja e numrit të vajzave kryesisht adoleshente që regjistrohen në shkollat fetare, një trend që nuk ishte evidentuar më parë në detaje, shpesh plotëson nevojën për të mësuar, për t’u shoqëruar dhe është një arsye për të dalë nga shtëpia, sipas njerëzve të intervistuar.

Megjithatë, disa studentë thonë se këto institucione, të cilat janë të përkushtuara për studimin e Kuranit dhe teksteve islame, nuk do t’u ndihmojnë atyre t’i përmbushin ambiciet e tyre.

Medresetë, pjesë e jetës afgane për shekuj me radhë, zakonisht nuk ofrojnë arsimin e mesëm dhe terciar laik të nevojshëm për të ndjekur karriera si drejtësi, mjekësi, inxhinieri dhe gazetari. Ky lloj i arsimit ekziston ende për djemtë afganë.

“Unë u futa në medrese sepse në shtëpi nuk mund të studionim dhe shkollat tona janë të mbyllura, kështu që erdha të mësoj Kuranin”, tha Mahtab, një nxënëse 15-vjeçare në medresenë Mansour Muslim në Kabul. “Doja të bëhesha inxhiniere në të ardhmen. Nuk mendoj se do të mund ta arrij ëndrrën time”.

Marzia Noorzai, një aktiviste 40-vjeçare për të drejtat e grave në provincën jugperëndimore Farah, tha se mbesat e saj, të cilat do të kishin mbaruar shkollën e mesme vitin e kaluar, tani po ndjekin një medrese lokale çdo ditë.

“Vetëm për t’i mbajtur ato të angazhuara”, tha ajo. “Sepse ato ishin në depresion”.

Studente dhe mësues të tjerë thanë se edukimi islam luan një rol të rëndësishëm në jetën e tyre, megjithëse ata shpresonin të mund të studionin edhe lëndë laike.

Një mësuese në medresenë Taalum-ul-Islam, ku Reutersit iu dha leja të hyjë me kusht që të mos i identifikojë studentet ose stafin për të mbrojtur privatësinë e tyre, tha se edukimi fetar i jep asaj një ndjenjë lumturie dhe paqeje.

I pyetur në lidhje me trendin e vajzave që ndjekin shkollat fetare në numër më të madh pas ndalimit të shkollës, zyrtari taliban Qanee tha se numri i medreseve ishte rritur nën qeverinë e mëparshme dhe do të vazhdonte të rritej nën qeverisjen talibane, sepse Afganistani është një vend islamik. Ai nuk dha detaje mbi planet e qeverisë për shkollat fetare.

Qeveria e mëparshme e mbështetur nga perëndimi tha në janar të vitit 2021 se ishin regjistruar rreth 5.000 medrese në mbarë vendin, me rreth 380.000 studentë, nga të cilët rreth 55.000 ishin vajza. Rreth një e pesta e shkollave të regjistruara operoheshin nga shteti, ndërsa u tha se ka të ngjarë të ketë shumë institucione të tjera të paregjistruara.

Administrata talibane ua ndaloi vajzave ndjekjen e shumicës së shkollave të mesme në mars të vitit të kaluar, ndërsa universitetet në dhjetor.

Disa ditë pas vendimit të universiteteve, administrata ndaloi shumicën e grave afgane të punonin për organizata joqeveritare, duke ua pamundësuar mijëra grave të arsimuara ta bënin punën e tyre dhe duke detyruar shumë organizatave bamirëse të pezullojnë pjesërisht projektet mes një krize humanitare.

Ndalimi i arsimit të mesëm ka prekur më shumë se një milion vajza, thuhet në raportin vjetor të UNICEF-it për Afganistanin për vitin 2022.

Kjo gjë e ka komplikuar një “krizë arsimore” ekzistuese, shtoi agjencia e fëmijëve të OKB-së, pasi që rreth 2.4 milionë vajza kishim mbetur jashtë shkollave në fillim të vitit 2022.

Mijëra shkolla fillore, disa prej tyre me pagesë, mbeten të hapura për djem dhe vajza deri në moshën rreth 12 vjeç, me mësime për gjuhët Dari e Pashto, anglisht, matematikë dhe shkencë.

Medresetë e ndryshme kanë dallime mes vete, nga institucionet e mëdha që kanë qindra nxënës në qytete e deri te xhamitë e fshatrave që ofrojnë mësime për një grusht fëmijësh. Shkollat, të cilat janë zakonisht vetëm për personat e një gjinie, ndryshojnë gjithashtu në bazë të standardeve, rreptësisë, numrit të ditëve dhe orëve që janë të hapura, si dhe nga shuma e pagesës që kërkojnë.

Çmimet e medreseve të vizituara nga Reutersi dallonin nga shifrat ekuivalente me rreth 50 centë deri në 2 dollarë në muaj për student.

Kjo është një kosto e madhe për shumë familje në Afganistan, ku OKB-ja thotë se shumica e njerëzve jetojnë në varfëri. Disa medrese fshatrash janë falas.

Medresetë e vajzave zakonisht kanë mësimdhënëse gra, megjithëse dijetarët fetarë burra priren ta drejtojnë punën e mësimdhënëseve në institucione më tradicionale si ai në Kandahar.

Studentë të universitetit ndjekin ligjëratat në klasën e ndarë me perde në pjesën për studentet vajza dhe gra në një universitet në provincën Kandahar më 21 dhjetor 2022. Udhëheqësit talibanë të Afganistanit e kanë ndaluar arsimin universitar për vajzat dhe gratë në mbarë vendin.
Studentë të universitetit ndjekin ligjëratat në klasën e ndarë me perde në pjesën për studentet vajza dhe gra në një universitet në provincën Kandahar më 21 dhjetor 2022. Udhëheqësit talibanë të Afganistanit e kanë ndaluar arsimin universitar për vajzat dhe gratë në mbarë vendin.
Ashley Jackson, drejtoreshë në Qendrën për Grupet e Armatosura, e cila ka hulumtuar politikat e talibanëve mbi arsimin, tha se përderisa medresetë nuk mund ta zënë vendin e shkollave formale, ato paraqesin një nga opsionet e vetme të mësimit të mbetura për vajzat dhe gratë.

“Opsionet për arsimimin e femrave po zhduken”, tha Jackson, duke shtuar se shkollat formale shiheshin nga disa mbështetës të talibanëve si një simbol i pushtimit ndërkombëtar.

“Ekziston një mosbesim i thellë ndaj sektorit të arsimit formal, pavarësisht nga fakti se ai, gjithashtu, përfshin edukimin islam”.
Jo të gjithë brenda administratës pajtohen me kufizimet e arsimit.

Katër zyrtarë, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së temës, i thanë Reutersit se ata mbështesin privatisht arsimin e mesëm për vajzat dhe se lideri suprem Haibatullah Akhundzada dhe këshilltarët e tij të afërt kishin nxitur ndalimin e shkollës.

Akhundzada, që qëndron në Kandahar dhe rrallë shfaqet në publik, nuk ishte i qasshëm për të komentuar lidhur me pretendimet për tensione brenda administratës mbi arsimimin e femrave. Kërkesat për koment nga Akhundzada dhe zyrtarët e tjerë trajtohen nga zëdhënësi i administratës talibane, i cili nuk komentoi për këtë çështje./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA