Një 45 vjeçare qan teksa përkëdhel një trup të vdekur të mbuluar në pjesën e pasme të një kamioni.
“Si po më lë pas? Ti ishe arsyeja e vetme që isha gjallë… Si mund të marr frymë tani?”, thotë Aysha Moarri teksa qan.
Vajza e saj është brenda. Pranë saj janë trupat e pesë anëtarëve të tjerë të familjes së tyre.
Në një pasdite të ftohtë në pikën kufitare Bab al-Hawa midis Turqisë jugore dhe Sirisë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita, familjarët e refugjatëve sirianë që humbën të dashurit në tërmetin që goditi Turqinë jugore javën e kaluar janë mbledhur atje për të ndihmuar në riatdhesimin e trupave të tyre.
“Përreth nesh qëndron në ajër era e rëndë e vdekjes”, tha njëri prej tyre.
Aysha, bashkëshorti i saj Nouman dhe mbesa e tyre katërvjeçare Elma, ishin të vetmit të mbijetuar pasi u shemb pallati gjashtëkatësh ku ata jetonin. Ata humbën dy vajza, një djalë dhe dy mbesa, dhe ishin ende në kërkim të dhëndrit të tyre.
Familja iku nga lufta civile në Siri tetë vjet më parë, duke shpresuar për një fillim të ri dhe u strehua në qytetin jugor turk të Antakias. Qyteti është tani në gërmadha, me më shumë se gjysmën e ndërtesave të dëmtuara.
Emri i secilës viktimë siriane të sjellë në Bab al-Hawa është shkruar me një stilolaps blu në çantat e trupit, për t’u siguruar që ata të mund të identifikohen pasi të kthehen në shtëpi.
“Kujdesuni mirë për njëri-tjetrin. Shirin, e dashura ime, kujdesuni për vëllain dhe motrën tuaj dhe nipërit e mi të dashur”, thotë Ajsha teksa puth trupin e vajzës së saj përmes rrobës së bardhë.
Gishtat e saj qëndrojnë në kamion ndërsa ai fillon të tërhiqet, duke mos dashur ta lëshojë. Burri i saj shpërthen në lot në pamjen e kamionit që kalonte kufirin.
“Lamtumirë të dashurat e mi… Do të shkoni të gjithë në shtëpi… Do të jeni bashkë”, thotë Nouman, duke tundur një dorë të fashuar.
Pesë kamionë të tjerë mbërritën në kufi me trupat e sirianëve të nxjerrë nga nën rrënoja. Disa janë thjesht të mbështjellë me batanije.
Top Channel