Një anije komerciale në pronësi të një miliarderi izraelit, dyshohet se u sulmua nga dronët iranianë në Detin Arabik, sipas raporteve nga BBC.
Ngjarja ka ndodhur më 10 shkurt, por u raportua vetëm sot nga një korrespondent i BBC-së, i cili mësoi për këtë nga një autoritet ushtarak amerikan dhe një burim i lartë ushtarak. Cisterna “Square Field” lundron me flamurin Liberian, por operohet nga kompanitë e transportit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar dhe Greqi. “Detarët duhet të lejohen të lëvizin lirshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” – komentoi Ministria e Jashtme britanike për BBC në gjuhën Farsi. “Ne po punojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë për të sqaruar të vërtetën.”
Kompania e anijeve Zodiac, në pronësi të miliarderit izraelit Eyal Ofer, tha se cisterna Square Field operohej nga kompania Elston me bazë në Greqi, e cila gjithashtu pretendoi, pa konfirmuar apo mohuar sulmin, se anija dhe ekuipazhi i saj vazhduan udhëtimin e tyre të sigurt.
Burimet e BBC thonë se në sulm është përdorur droni Shahid 136, një armë që është përdorur në sulme të mëparshme të ngjashme dhe së fundmi nga Rusia në Ukrainë, veprime që kanë ngritur shqetësime për aktivitetet ushtarake të Iranit.
Top Channel