Në tërmetet me qendër në Kahramanmaraş u dëmtua pjesërisht edhe kisha e Shën Mërisë në lagjen Vakıflı ku jetojnë kryesisht shtetas turq me origjinë armene në rajonin Samandağ në qytetin Hatay.
Anadolu Agency ka filmuar me kamerë nga droni lagjen Vakıflı e cila u prek nga tërmetet më 6 shkurt me qendër në Kahramanmaraş.
Në fshatin me rreth 130 banorë nuk u shënuan humbje jete, ndërsa u dëmtuan pjesërisht muret e jashtme të kishës së Shën Mërisë, një prej simboleve të fshatit. Po ashtu dëme u shënuan edhe në shkollën e fshatit dhe në disa shtëpi.
Ndërkohë “pema e profetit Musa” (Pema e Moisiut) e cila u regjistrua si një pemë monumentale në vitin 1981 dhe e cila besohet se është rritur falë “ujit të pavdekshmërisë” të shkopit që profeti Musa nguli në tokë në këtë zonë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim.
Berç Kartun, kryeplaku i lagjes Vakıflı tha se tërmeti i gjeti në gjumë dhe se janë zgjuar me tronditjen e fuqishme të tërmetit.
Duke vënë në dukje se Vakıflı është një prej lagjeve të rralla që nuk ka pësuar humbje jete në tërmet, Kartun tha: “Jemi falënderues që nuk kemi pasur humbje jete në fshatin tonë. Janë shënuar dëme materiale. Nuk kemi mundur ta ndjekim shumë nga televizioni. Energjia elektrike është rilidhur sërish që nga dje. Unë i shpreh ngushëllimet e mia gjithë Turqisë dhe uroj që kjo të kalojë”.
“Në fshatin tonë është dëmtuar kisha e Shën Mërisë. Nga tërmeti janë dëmtuar dhe janë bërë të papërdorshme edhe disa kisha në qendër në Hatay. Dëme janë shkaktuar brenda dhe jashtë kishës tonë historike në fshatin tonë. Ne jemi falënderues për gjendjen tonë kur shohim pamjet në Hatay. Na dhemb shpirti kur shohim shtëpitë e shembura, njerëzit që nxirren nga rrënojat“, tha Kartun.
Ai bëri të ditur se edhe 6 persona nga komuniteti armen kanë humbur jetën në qytetin Hatay.
“Falënderojmë shtetin tonë i cili që nga dita e parë ka dërguar çdo ndihmë, përfshirë ushqime, batanije. Zoti i bekoftë një mijë herë. Gjithashtu kanë mbërritur edhe ndihmat e qytetarëve tanë. I falënderoj të gjithë ata që i kanë dërguar“, tha Kartun.
Top Channel