Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës nuk e ka penguar një të re serbe dhe një të ri shqiptar të nisin një lidhje romantike. Të dy përballen me vështirësi, por jetojnë të lumtur së bashku në Prishtinë.
Jo larg nga universiteti i Prishtinës Suzana M., 25 vjeç, nga Novi Sadi i Serbisë dhe Gent S., po ashtu 25 vjeç, nga Ferizaj në Kosovë, kanë krijuar me dashuri një shtëpi të vogël së bashku. Të dy janë çift prej gati dy vitesh. Historia e tyre është ajo e një dashurie që duket ende pothuajse e paimagjinueshme sot në të dy vendet. Historia e dashurisë i çoi Suzanën dhe Gentin në thuajse gjithë Ballkanin.
Ata u takuan në portin kroat të Rijekës në maj të 2021. Suzana ishte punësuar aty gajtë pushimeve verore si kamariere, ndërsa Genti punonte në ndërtim. Një ditë Suzana po kalonte disa orë të gëzuara dhe të bujshme në plazhin e Rijekës me kolegët. Genti u ul disa hapa larg. Ai i ra në sy Suzanës. Me flokët dhe sytë kafe, ai i dukej disi ndryshe, i veçantë. Nga ana tjetër Gentit i ra menjëherë në sy Suzana e gjatë e të hollë me flokët e gjata bionde të errëta dhe iu dukur e veçantë. Kur sytë e tyre u ndeshën, Genti mori zemër, iu afrua Suzanës dhe e ftoi për një akullore.
Suzana kujton: “Normalisht nuk do ta kisha pranuar kurrë një ftesë të tillë, sepse kështu më kanë rritur prindërit, por koleget më shtynë të shkoj. Të dy filluam një bisedë. Gjëja e parë që zbuluam si të përbashkët ishte se refuzonin diskutimet dhe paragjykimet për përkatësinë etnike. Biseda si e ngrirë u pasua nga shumë takime të tjera. “Më pëlqeu që në fillim”, thotë Suzana. “Ai është një person i ndershëm dhe zemërmirë”.
Fillimisht rezerva, pastaj simpati
Suzana është fëmijë i vetëm. Prindërit i ka serbë dhe ka lindur në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas luftërave në ish-Jugosllavi familja u shpërngul në Serbi, në qytetin Novi Sad, në Vojvodinë, ku ndër të tjera jetojnë serbë, hungarezë dhe rumunë. Prindërit e Suzanës donin të jetonin në një mjedis multietnik dhe multikulturor. “Nuk është rastësi që quhem Suzana, prindërit e mi nuk donin të më vinin një emër tipik serb”, thotë ajo.
Genti është djali i dytë në një familjeje shqiptare dhe është rritur në Ferizaj, në jug të Kosovës. Ai ra në kontakt me kombësi dhe fe të tjera që herët, sepse familja e tij kishte miq nga Bullgaria dhe disa të afërm të largët me fe jomuslimane.
Megjithatë, Genti kujton se babai i tij e pati fillimisht problem kur ai, i tregoi për Suzanën. Në familjet tradicionale shqiptare, bashkëshortët joshqiptarë janë më të vështirë për t’u pranuar. Veç kësaj, baballarët si kryefamiljarë, thonë fjalën e tyre – Gentin mund ta dëbonin nga familja. “Babai më pyeti pse një të dashur nga Serbia, kur në Ferizaj ka mijëra shqiptarë”, thotë Genti. Dikur ai guxoi t’ua prezantonte Suzanën prindërive të tij. Rezervat e tyre u zhdukën, Suzana fitoi simpatinë e tyre.
Kosovarët në gjueti për “shatca”.
Normalisht njohja ndër shqiptarët në Kosovë bëhet ndryshe. Gjatë pushimeve verore dhe dimërore, shumë të rinj kosovarë që jetojnë në diasporë kthehen në “shtëpi” me vetura me shumndër kuajfuqi për t’u bërë përshtypje vajzave, për t’i njohur e ndoshta për t’u martuar me to. “Stina e shatcve” quhet kjo periudhë në Kosovë – shatc nga gjermanishtja Schatz, do të thotë “thesar”. Ndonjëherë rituali në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, del aq jashtë kontrollit saqë një shëtitore e njohur me shumë kafene dhe restorante bllokohet duke u kthyer përkohësisht në rrugë njëdrejtimshe -sepse aty kalojnë shumë vetura të zhurmshme me targa gjermane dhe zvicerane që lëviznin lartë e poshtë.
Genti është socializuar ndryshe – ai nuk u beson makinave të shpejta. Madje ai as nuk ka makinë. “Kam mësuar të vëzhgoj nëse një person është i mirë apo i keq, cili është karakteri i tij. Kjo dhe vetëm kjo është e rëndësishme për mua,” thotë ai. Suzanën e ka pëlqyer që në fillim. “Më pëlqeu, sepse ishte shumë e sinqertë dhe mund të diskutoje për çdo gjë me të”, thotë Genti.
Fatkeqësia nacionaliste
Në kohën e Jugosllavisë, martesat shqiptaro-serbe nuk ishin të zakonshme, por nuk ishin as krejtësisht të pazakonta, pasi barrierat fetare dhe etnike ishin hequr në masë të madhe. Kjo ka kohë që ka ikur. Aktualisht dy shtetet as nuk i njohin dokumentet e palës tjetër, apo kualifikimet shkollore.
Fatkeqësia mori rrjedhën e saj kur Slobodan Millosheviç u bë gjithnjë e më i fuqishëm në Serbi nga mesi i viteve 1980 dhe arriti të bëhet president i ish-republikës jugosllave. Ai ndoqi një politikë gjithnjë e më nacionaliste, antishqiptare, i kufizoi të drejtat e pakicës shqiptare dhe më në fund u hoqi statutin e autonomisë krahinave të Kosovës dhe të Metohisë, që në atë kohë i përkisnin Serbisë. Në vitet 1990 shkeljet gjithnjë e më të rënda të të drejtave të njeriut nga shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës kulmuan në Luftën e Kosovës 1998/99. Millosheviçi më vonë u padit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për krime lufte në Kosovë, por vdiq para se të dënohej.
Edhe pse lufta përfundoi 23 vjet më parë, ende nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Problemet e pazgjidhura, si p.sh. njohja reciproke e targave të makinave i përshkallëzojnë menjëherë tensionet deri në pikën e goditjeve ushtarake.
Miqtë nuk u distancuan
Suzana dhe Genti nuk u besojnë zhurmës politike dhe paragjykimeve shoqërore. “Asnjërit prej nesh nuk i intereson e shkuara, ne shikojmë vetëm drejt së ardhmes”, thotë me qetësi Genti. E dashura e tij Suzana shton: “Nuk kemi as televizor, sepse këtu nuk dallojmë dot propagandën nga lajmet”.
Suzana kishte filluar studimet për drejtësi në Serbi. Por pas njohjes me Gentin ajo i ndërpreu studimet, sepse ata u shpërngulën në Prishtinë. Genti vazhdon të punojë në ndërtim, kurse Suzana tani studion për Ballkanologji. Është një degë me gamë të gjerë, thotë ajo – pas diplomimit mund të punoj si konsulente, pedagoge apo përkthyese.
Në jetën e përbashkët Genti dhe Suzana kanë ende shumë miq nga e kaluara. Të paktë ishin ata që u larguan kur morën vesh për dashurinë serbo-shqiptare. Shumë nga miqtë e tyre vijnë nga vende të tjera dhe nuk kishin asnjë problem me një marrëdhënie të tillë.
“Ata duan ta shohin veten si njerëz”
Megjithatë Suzana tregohet e kujdesshme – ose “e matur”, siç thotë ajo. Ajo nuk flet ende shqip dhe në jetën e përditshme, për shembull kur bën pazar, flet anglisht Kjo nuk është problem në Prishtinë, sepse aty jetojnë shumë të huaj dhe tregtarët janë mësuar me anglishten. “Deri tani nuk kam pasur asnjë problem”, thotë Suzana. “Po edhe unë sillem me shumë maturi. Për shembull, i shmang zonat ku njerëzit kanë përjetuar vuajtje të veçanta të lidhura me luftën.”
Genti nuk mendon se Suzana do të ketë probleme në Prishtinë. Por ai ka frikë nga ndonjë pakënaqësi ndaj familjes së tij, nëse marrëdhënia e tij me një grua serbe do të bëhej publike. Prandaj ata të dy nuk e thonë publikisht se janë çift shqiptaro-serb – dhe nuk duan që emrat e tyre të publikohen.
Banesa e tyre në Prishtinë është e vogël – një dhomë me një kuzhinë aneks dhe një banjo të vogël. Muret e dhomës janë të mbuluara me kordele të kuqe. Genti dhe Suzana buzëqeshin shumë. Ata ëndërrojnë të kenë shumë fëmijë dhe të bëhen një familje e madhe. Për ta është e rëndësishme që fëmijët e tyre të rriten që në fillim me tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. “Ne nuk duam që fëmijët tanë të identifikohen me ndonjë komb apo grup etnik”, thonë Suzana dhe Genti. “Ne duam që ata ta shohin veten si njerëz”./DW
Top Channel