Politikanët shqiptarë kanë uruar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Edi Rama ka uruar pavarësinë përmes një pikture të një fëmije që mban një balonë me flamurin e Kosovës.

“MIRËMËNGJES Gëzuar Pavarësinë”, shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në mesazhin e urimit me rastin e 15-vjetorit të shpalljes  së Pavarësisë së Kosovës theksoi se Kosova e lirë është rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar.

“Si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qendisur” teksti dhe  nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi. Pavarësia e Kosovës është vijimi logjik i Kosovës së lirë. Kosovës e lire është rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar. Rezultat i rezistencës dhe përpjekjeve paqësore të popullit dhe udhëheqësve kosovarë për të sensibilizuar ShBA, BE dhe vendet e tjera të botës së qytetëruar.Të gjithë këta faktorë bënë të mundur çlirimi dhe liria e Kosovës të bëhej provë e ndërgjegjes së botës së lirë ndaj një populli të shtypur. Kuvendi i Shqipërisë është në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës për luftën çlirimtare të UÇK, integrimeve evro-atlantike,  rritjes së njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dialogut të këshilluar nga ShBA e BE  dhe ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe rritjes së kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë në rajon, kontinent e më gjerë. Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarit Glauk Konjufca si edhe  popullit të Kosovës”, shkruan Nikolla.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka e quan një ditë që I bën të ndihen krenarë të gjithë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës  vëllezërve e motrave tona në Kosovë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë! Një ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë është arritur në këto 15 vjet dhe për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën  e pavarur”<, shkruan Xhaçka.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka uruar Pavarësinë e Kosovës me punime të veçanta të përgatitura nga duart e nxënësve të gjithë Shqipërisë, ku përcjellin mesazhe atdhedashurie dhe vëllazërie për Kosovën.

“Në këtë ditë të shënuar, zgjodha të uroj vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë me disa nga punimet e realizuara nga nxënës të shkollave nga e gjithë Shqipëria, të cilat do të jenë pjesë e ekspozitës së përbashkët, më datë 21, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Prishtinë. Ndihem krenare për mesazhet kuptimplotë që përcjellin nxënësit tanë nëpërmjet talentit të tyre dhe është detyra jonë e përbashkët që të ushqejmë tek ata ndjenjat e atdhedashurisë, vëllazërisë dhe krenarisë kombëtare. Gëzuar Pavarësinë, Kosovë”, sipas Kushit.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur! Ndajmë krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat dhe elementët shtetndërtues duke u kthyer në vetëm pak vite një shembull frymëzues për Shqipërinë dhe rajonin!  Urimet më të përzemërta!”, shkruan Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA