Bode, Belloj dhe Dervishi në “kor”: Shqipëria U17 gati për Elite Round

17/02/2023 17:58

Shqipëria U17 mbylli përgatitjet e radhës për Elite Round të Kampionatit Europian 2023 me dy ndeshjet miqësore të luajtura me Bosnje-Hercegovinën.

Të dyja ndeshjet e zhvilluara në Shqipëri, përfunduan në barazim 0-0, por ishin mjaft të vlefshme për të parë gjendjen e skuadrës dhe për të testuar edhe disa lojtarë të rinj.

Në përfundim të miqësores së dytë disa nga protagonistët e Kombëtares U17 folën për Fshf.org, duke dhënë përshtypjet e tyre për këto dy teste mjaft me vlera. Ersi BodeGlenis Belloj dhe Amarildo Dervishi vlerësuan paraqitjet e skuadrës. Ata janë të bindur se përgatitjet për Elite Round po shkojnë shumë mirë dhe se Kombëtarja shqiptare është e aftë të konkurrojë denjësisht me të gjitha rivalët.

Ersi Bode – “Në ndeshjen e parë e pamë që rezultati nuk ishte në favorin tonë. Ishte një ndeshje pak a shumë e barabartë. Në pjesën e dytë ne luajtëm më mirë. Në ndeshjen e dytë patëm një volum loje më të lartë. Ishim më të rrezikshëm para portës kundërshtare, luajtëm, por nuk patëm fat për të fituar.

Si në ndeshjen e parë ashtu edhe në dytën, ne dhamë maksimumin për skuadrën. U mundova të shënoja vetë dhe të jepja sa më shumë pasime të vlefshme për shokët në sulm. Por nuk ia dolëm dot të shënonim. Besoj se skuadra do të jetë gati për Elite Round.

Ne do të punojmë shumë dhe do të jemi akoma më të fortë. Duam t’u tregojmë shqiptarëve dhe Europës që ne jemi një ekip shumë i mirë dhe me cilësi të mira. Do të japim shpirtin në fushë”.

Glenis Belloj – “Fati nuk ishte me ne në këtë ndeshje, u përpoqëm të shfrytëzonim të gjitha mundësitë. Patëm disa raste për shënim, goditëm dy herë shtyllën, luftuam maksimalisht dhe dhamë gjithçka në fushë. Them se bëmë një paraqitje të mirë, pasi këtë e tregojnë edhe rastet për gol që krijuam. Na mungoi vetëm fitorja.

Unë u përpoqa të bëja maksimumin tim në fushë për skuadrën. Dua të vazhdoj të bëj paraqitje sa më të mira me Kombëtaren. Tani do të përqendrohemi maksimalisht te përgatitjet për fazën Elite Round të Europianit. Patjetër që Shqipëria U17 duhet të synojë kualifikimin për të arritur deri në finalet e Europianit”.

Amarildo Dervishi – “Jam shumë i kënaqur me skuadrën, që bëri një paraqitje të mirë. Fati nuk ishte me ne në këtë takim dhe na mohoi fitoren. Arritëm të krijonim shumë raste, por duhet të punojmë edhe më shumë që të përmirësohemi e për t’i shfrytëzuar rastet më mirë.

Këto ndeshje ishin shumë me vlera për t’u përgatitur si duhet. Dy duelet na dhanë mundësi të kuptonim shkallën e vështirësisë që do të ketë Elite Round, pasi edhe Bosnja është një nga skuadrat e kualifikuara për në këtë fazë.

Shqipëria U17 do të shkojë në ndeshjen e Europianit me synimin për t’u kualifikuar në fazën finale. Skuadra i ka të gjitha cilësitë që duhen, kemi talente dhe nuk kemi asgjë më pak se rivalët tonë. Mund t’i përballojmë të gjithë fare mirë, madje pretendojmë për pikë edhe në ndeshjen me Francën, që është nga të mirat në Europë”./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA