Përplasja e trenit toksik në Ohio/ Kompania e hekurudhës tërhiqet nga takimi me komunitetin (fotot)

16/02/2023 17:12

Një takim publik që kishte si qëllim zbutjen e frikave për tym e rrjedhje toksike pas një aksidenti katastrofik hekurudhor në Ohio, nuk u krye sot në SHBA pasi kompania hekurudhore nuk u paraqit.

Përfaqësuesit e grupit Norfolk Southern, treni i të cilave i mbushur me kimikate helmuese të djegshme, doli nga binarët 13 ditë më parë, tha se nuk u paraqit “për arsye sigurie”.

Pas rrëzimit të trenit, grupet e emergjencës thanë se kishin lënë të rridhje në mënyrë të kontrolluar toksinën e fuqishme Klorid vinili nga të paktën pesë vagonë, që sipas tyre kishin rrezik të shpërthenin.

Zyrtarët thanë se kishin kanalizuar helmin drejt një hendeku ku po e digjnin.

Shtëllunga të trasha tymi kanë mbuluar qytezën me mijëra banorë East Palestine, teksa grupet e zyrtarëve thonë se po monitorojnë cilësinë e ajrit.

Ndërkohë mijëra peshq shihen të vdekur në lumin gjigant të Ohio dhe rezidentët thonë se janë të tmerruar nga pasojat ndaj njerëzve dhe botës së kafshëve.

Të tjerë banorë thanë për  mediat lokale se pulat e tyre po vdesin papritur ndërsa kafshët shtëpiake janë sëmurur nga avujt e helmit.

Të tjerë ankohen për vështirësi burokratike në testimin e mostrave të ujit të tyre, duke nxitur mosbesimin për një reagim efektiv ndaj krizës, shkruan rrjeti BBC.

Mungesa e kompanisë hekurudhore në takim nervozoi rezidentët.

“Ata kanë diçka për të fshehur. Askush nuk i fshihet pyetjeve nëse di si t’i përgjigjesh,” tha rezidenti i East Palestine, Jaime Cozza. “Qytetit tonë i ka rënë një bombë.”

Në muret e ndërtesave banorët kanë shkruar parulla ofenduese ndaj zyrtarëve për cilësinë e ajrit dhe të ujit.

Disa orë para takimit, Norfolk Southern njoftoi se nuk do të marrë pjesë, teksa shkruante në një njoftim se është “e shqetësuar për kërcënimet fizike ndaj punonjësve të saj, dhe frikën për pjesëmarrjen e palëve të huaja në takim”.

Banorët po organizohen për të kërkuar ekzaminime të tokës dhe ujit vendor, ndërsa kongresmeni vendas Bill Johnson përballej me morinë e pyetjeve të banorëve të katastrofës për ato që ata quanin udhëzime kontradiktore shëndetësore.

“Ata na thonë se është e sigurt të pini ujin, por mund të pini dhe ujë me shishe, kjo është një kontradiktë, nuk është këshillë”, tha rezidenti Scott McLear.

Rezidenët kanë nisu të kenë dhimbje koke dhe të vjella por autoritetet thonë se nuk kanë gjetur nivele të dëmshme kontaminuesish.

FOTO GALERI
3/3
Disa orë para takimit, Norfolk Southern njoftoi se nuk do të marrë pjesë, teksa shkruante në një njoftim se është “e shqetësuar për kërcënimet fizike ndaj punonjësve të saj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA