Një 65-vjeçare ka humbur jetën në qytetin e Durrësit, e asfiksuar nga zjarri që ka rënë në shtëpinë e saj.
Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes në lagjen nr.8 të qytetit, afër maternitetit. Nuk janë ende të qarta rrethanat e ngjarjes.
Viktimës i ka vdekur bashkëshorti një vit e gjysëm më parë nga Covid 19 dhe e ka përjetuar rëndë humbjen e tij, ndërsa jetonte në vilën 2-katëshe me djalin e burrit, të cilin e ka rritur vetë.
Sipas burimeve në vendin e ngjarjes, ai nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja, por e ka gjetur të vdekur dhe ka njoftuar policinë. Era e tymit ndjehet në zonë, ndërsa të afërm përpiqen të sqarojnë dinamikën e ngjarjes.
Sipas tyre, dyshohet se 65-vjeçarja ka qenë duke pirë cigare pranë një ngrohëseje me gaz dhe nga pakujdesia cigarja ka shkaktuar zjarr në ambient ku mund të ketë pasur dhe rrjedhje gazi. Në këtë rast nuk është njoftuar shërbimi zjarrfikës dhe është ende e paqartë si nuk është përhapur zjarri në pjesën tjetër të shtëpisë.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa trupi është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.
Top Channel