Bonusi i rijetëzimit është kthyer në një fond të përvitshëm që do të mbështesë pronarët dhe përdoruesit e ligjshëm të objekteve pjesë e ansambleve historike.

Ky fond e bën Gjirokastrën një prej qyteteve me mundësi të lartë përfitimi por mbështetja vjen krahas situatës kaotike të pronësisë mbi objektet historike në qytet.

Kreu i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore Ardis Duka bën me dije se mungesa e çerfikatave të pronësisë apo braktisja e pronave për shkak të ekzistencës së shumë pronarëve po bën që shumë objekte historike të degradojnë duke e bërë të pamundur shpëtimin e tyre.

Në Gjirokastër përfituan gjatë vitit të kaluar 13 aplikantë prej bonusit të rijetëzimit për kategorinë e mirëmbajtjes konservuese dhe në kategorinë e restaurimit të pjesshëm. Investimi ka kriter rijetëzimin që ka qenë ndër vite sfida më e madhe që ka pasuar restaurimin e dhjetëra banesave historike. Kompleksi i Angonatëve, shtëpitë e Çabeit, Ficove dhe të tjera kanë degraduar prej braktisjes post restaurim.

Aktualisht në Gjirokastër janë rreth 200 banesa historike me probleme strukturore apo në prag të rrënimit mes tyre banesat e Lolomanit, Kabilatëve, Topullit, Kokalarit të vendosura të të gjitha lagjet historike.

Ekspertët e trashëgimisë kanë parë si zgjidhje shpëtimtare, ndërhyrjen ligjore për ti ngarkuar pronarët që kanë braktisur pronat me taksën e rrënimit por ende nuk ka asnjë masë konkrete për ta penguar shkatërrimin dhe për ti hapur rrugë investimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA