20-vjeçarja Olesya është në arrest shtëpiak dhe policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj.
Krimi i saj i supozuar? Olesya u arrestua për postime kundër luftës në mediat sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.
“Unë postova një ‘story’ në Instagram për urën duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur”, tha ajo pwr BBC.
Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën.
“Unë po flisja në telefon me nënën time kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme”, tregon Olesya.
Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet. Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja”, tha ajo.
Studentja tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve. Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet.
Olesya ka një tatuazh në këmbën e saj të djathtë, ku presidenti rus Vladimir Putin paraqitet si një merimangë, me një mbishkrim: “Big Brother po ju shikon”.
Duket se në rastin e Olesyas, nuk ishte Big Brother që e shikonte atë, por shokët e saj studentë.
“Një mik më akuzoi në një postim timin në një bisedë, për mënyrën se si isha kundër operacionit special ushtarak. Shumica e njerëzve në këtë bisedë ishin studentë të historisë. Ata po diskutonin nëse do të më denonconin tek autoritetet”, tregon ajo.
Më vonë, kur lista e dëshmitarëve të prokurorisë u lexua në gjykatë, Olesya njohu emrat nga biseda e studentëve.
Është bërë një vit që kur Kremlini nisi “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë – termi që përdor për pushtimin e plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj.
Që atëherë, në të gjithë Rusinë ka pasur raporte për denoncime të stilit sovjetik kundër kritikëve të luftës. Ato përfshijnë studentë që informojnë mësuesit dhe punëtorët që denoncojnë kolegët.
Autoritetet ruse presin mbështetje të plotë dhe të palëkundur për ofensivën në Ukrainë. Nëse nuk e mbështesin, të paktën duhet të qëndrojnë të heshtur. Nëse nuk heshtin, ka një varg ligjesh represive për ndëshkimin e mospajtimit.
Olesya lejohet të dalë nga banesa e saj vetëm për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. Avokatët e saj mbrojtës po përpiqen të bindin një gjyqtare që të heqë kufizimet në lëvizjen e saj.
Top Channel