Inside Story/ Si u bënë ish-agjentët e FBI aksioner të kompanisë shqiptare me vetëm 1 dollar

15/02/2023 22:31

Ky personazh kontrovers, ka qenë i njohur në qarqet e së djathtës siç sqaruam pak më lart.

Nëse i referohemi regjistrit zyrtar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, prej vitit 2019 ai rezulton ortak në një studio ligjore.

Bëhet fjalë për Lawoffice & Investigation e themeluar nga Shefqet Dizdari në vitin 2007. Sipas ekstraktit historik fillimisht kapitali i kësaj studio ka qenë 1 milionë lekë. Më pas është bërë shtim i kapitalit duke shkuar në 8 milionë lekë.

“Kundërzbuluesi amerikan Agron Neza, Shefqet Dizdari kanë shoqëri të përbashkët ku ky ka 25 % të aksioneve ai i FBI, pra marrëdhëniet e tyre janë edhe të tilla në biznes që edhe futen me huadhënie marrje etj janë ortakë në çdo gjë që bëjnë”, u shpreh avokati, Idajet Beqiri.

Në 21 shkurt të vitit 2019 Shefqet Dizdari trasferon 25% të kuotave te Charles McGonigal. Të njëjtën sasi të kuotave e trasferon edhe në favor të Agron Nezës dhe të Mark Thomas Rossini. Edhe ky i fundit një ish-agjent i FBI dhe mik i Charles McGonigal.

Ditën që është bërë aksioner i zyrës avokatore në Tiranë, McGonigal është emëruar edhe administrator i kompanisë. Në fakt, drejtimin ‘de facto’ e ka pasur Shefqet Dizdari.

Ajo që bie në sy në gjithë këto lëvizje është fakti se si Dizdari i shiti kuotat e tij me nga 1 dollarë amerikan. Aktiviteti i kësaj studio ligjore pas ndarjes së kuotave nuk zgjati shumë. Vetëm disa muaj më pas, konkretisht në 24 tetor 2019 u bë pezullimi i aktivitetit.

Inside Story, ka kontaktuar me Dizdarin për të sqaruar rrethanat e bashkëpunimit me 2 ish-agjentët e FBI dhe Agron Nezën por nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri në transmetimin e këtij dokumentari.

Por, kush është Shefqet Dizdari? Ashtu si ortaku i tij Neza, edhe ky i fundit është me origjinë nga Tropoja. Shpesh, ai është përfolur për lidhjet e fuqishme politike, kryesisht në kampin e së djathtës.

Top Channel