Shtetet e Bashkuara thirrje amerikanëve që ndodhen në Rusi: Largohuni menjëherë

13/02/2023 10:26

Në një njoftim të papritur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen menjëherë nga Rusia, cka u interpretua si sinjal i një shtrirjeje të mundshme të luftës së Ukrainës.

Pikërisht konflikti në vazhdim citohet si arsye për një apel të tillë, së bashku me rrezikun arbitrar apo ngacmimin nga agjencitë ruse të zbatimit të ligjit. “Qytetarët amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë”, tha Ambasada e SHBA-së në Moskë.

“Tregoni kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të ndalimeve të gabuara”. “Mos udhëtoni në Rusi”, tha ambasada. Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar vazhdimisht për kujdes qytetarët e tyre në Rusi Thirrja e fundit e tillë publike ishte në shtator, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një mobilizim të pjesshëm.

“Shërbimet ruse të sigurisë kanë arrestuar shtetas amerikanë me akuza të rreme, kanë veçuar shtetasit amerikanë në Rusi, u kanë mohuar atyre trajtim të drejtë dhe transparent dhe i kanë dënuar në gjyqe sekrete ose pa paraqitur prova të besueshme”, tha ambasada.

“Autoritetet ruse zbatojnë në mënyrë arbitrare ligjet lokale kundër punonjësve fetarë, shtetas amerikanë, dhe kanë hapur hetime të dyshimta penale kundër qytetarëve amerikanë të përfshirë në veprimtari fetare”, thuhet në njoftim. Në muajin janar, Moska hapi një çështje penale kundër një shtetasi të Shteteve të Bashkuara nën “dyshimin për spiunazh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA