Mbi 33 mijë viktima nga tërmetet në Turqi e Siri/ Lëshohen 113 urdhër-arreste për ndërtuesit

12/02/2023 12:14

Çdo orë që kalon rrit numrin e jetëve të humbura nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

Shifrat më të fundit tregojnë se deri më tani numri viktimave ka kapur shifrën e mbi 33.000 personave.

Përpjekjet e ekipeve të kërkim shpëtimit, thotë Sky News, vijojnë duke përdorur kamerat termike për të lokalizuar të mbijetuar,  por shpresa e gjetjes të personave gjallë sa vjen e zbehet.

Mbrëmjen e të shtunës paçka se kishin kaluar 133 orë nga tërmeti mediat në Turqi transmetuan nxjerrjen nga rrënojat të një familje në  Kahramanmaras.

Shqetësimi sa vjen e shtohet për ekipet e kërkim shpëtimit mbërritur nga e gjithë bota në ndihmë të shtetit turk.

Dy organizata gjermane pezulluan operacionet e kërkim shpëtimit sikurse edhe një ekip i ushtrisë austriake,  për arsye sigurie të personelit të tyre.

AFP thotë se në qytetin e Antakya, ku kërkimet vijojnë pronarët e dyqaneve janë bërë bashkë për të mbrojtur pronat nga hajdutët.

Një person i dyshuar si grabitës u ndalua dhe u rrah,  ndërsa një banorë i kësaj zone tregoi se situata e grabitjeve është e frikshme.

Gazetarët e BBC në terren raportojnë,  se qeveria turke deri më tani ka lëshuar 113 urdhër arresti për personat e përfshirë në ndërtimin e pallateve të shembura.

Policia turke ka bërë të mundur arrestimin e 12 personave, kontraktorë ndërtimesh.

Priten arrestime të tjera thotë BBC, të cilat shihen si një tentativë fajësimi për pasojat shkatërrimtare të tërmetit.

Prej shumë vitesh ekspertët kishin paralajmëruar se ndërtimet e reja në Turqi ishin të pasigurta si pasojë e korrupsionit dhe politikave të qeverisë.

Këto politika lejuan një amnisti për kompanitë e ndërtimit,  të cilat kishin shkelur rregullat e si pasojë sollën,  një bum ndërtimesh edhe në zonat e prekura nga tërmeti.

Me mijëra godina u rrafshuan nga tërmeti duke ngritur pyetjen nëse në këtë fatkeqësi natyrore pati impakt e ndihmuan  dështimet njerëzore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA