I ftohti ngrin ambiciet e Iranit për gazin natyror

12/02/2023 15:56

Irani priste që temperaturat e dimrit ta ngrinin Evropën dhe ai të kishte mundësi t’i ofronte rezervat e tij me gaz natyror.

Një dimër i vështirë për evropianët do t’i ofronte atij shumë përparësi, përfshirë një levë në negociatat e Vjenës, që kanë për qëllim ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore.

“Prisni dy muaj, derisa dimri të arrijë në Evropë, për të arritur një marrëveshje më të mirë”, ka shkruar më herët gazeta Kayhan, e cila shpesh u bën jehonë pikëpamjeve të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Ideja ka qenë që vendet evropiane në tryezën e bisedimeve do të detyrohen t’i heqin sanksionet e ashpra kundër eksporteve iraniane të energjisë.

Irani, pastaj, jo vetëm që do të përfitonte nga një marrëveshje që ka arritur në verë për importimin e gazit natyror rus, por gjithashtu do ta mbushte boshllëkun e mbetur nga kufizimi i gazit natyror rus në Evropë. Evropa ka kufizuar importet e energjisë nga Rusia, si ndëshkim për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Edhe pse bisedimet për marrëveshjen bërthamore kanë ngecur, sanksionet kanë mbetur në fuqi dhe furnizimet e premtuara me gazin natyror rus nuk janë realizuar kurrë, autoritetet iraniane kanë qenë optimiste.

“Irani nuk do të ketë telashe për ta përballuar të ftohtin”, ka shkruar në janar gazeta Javan, e afërt me Gardën Revolucionare të Iranit, ndërsa “francezët kanë marrë dërgesa me drurë zjarri, gjermanët kanë kaluar në qymyr, britanikët po djegin jashtëqitjet e maceve dhe suedezët shkojnë në punë me batanije”.

Por, me rënien e temperaturave në Iran dhe rritjen e kërkesave për gaz natyror, autoritetet nuk kanë mundur t’i ofrojnë gaz Evropës. Për më tepër, ato kanë mbyllur disa shkolla dhe objekte publike, në përpjekje për të kursyer gaz.

Qytetarët e zemëruar nga çmimet e larta dhe ndërprerjet e gazit kanë protestuar disa herë.

Përdorimi i shtuar i energjisë elektrike ka mbingarkuar rrjetet e shpërndarjes, ndërsa djegia e mazutit dhe plehrave të kafshëve për ngrohje ka rritur ndotjen e ajrit.

“Gjatë ditëve të fundit, kur temperaturat kanë arritur në minus 20 gradë Celsius… ne nuk kemi mundur t’u ofrojmë njerëzve vajgur ose gaz të lëngshëm për ta përdorur”, ka cituar agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ILNA Mohammad Sargazin, një ligjvënës nga provinca juglindore, Sistan-Baluçistan.

“Kushtet janë aq të rënda, saqë nëpër fshatra djegin edhe jashtëqitjet e kafshëve”, ka thënë ai.

Menaxhim i dështuar i energjisë

Postimet në mediat sociale kanë pasqyruar një gjendje dëshpërimi pas ndërprerjes së gazit në shumë zona të Iranit.

Videot kanë treguar radhë të gjata njerëzish duke pritur për të marrë mbushje me gaz për gatim dhe nevoja të tjera shtëpiake.

Shumë mund të pyesin se si një vend me rezerva aq të mëdha të gazit natyror vazhdon të gjendet në një situatë të tillë, por ekspertët kanë një përgjigje të thjeshtë: strategjitë e gabuara.

“Irani ka rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në botë”, thotë Umud Shokri, strateg për çështje energjetike me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor në Universitetin George Mason.

“Por, për shkak të konsumit të lartë të brendshëm, keqmenaxhimit, sanksioneve dhe mungesës së burimeve financiare dhe teknologjisë shumë të avancuar, ai nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë kapital në mënyrë efikase”, shton ai.

Pavarësisht rezervave të tij të mëdha, Irani është shndërruar në importues të gazit natyror që nga viti 2011, kur u është drejtuar furnizimeve nga Turkmenistani, në përpjekje për ta frenuar krizën e tij të përhershme energjetike, thotë Shokri për Radion Evropa e Lirë.

Këtë dimër ka pasur ditë kur Iranit i kanë munguar deri në 300 milionë metra kub gaz. Dhe, deficiti vjen duke u rritur, për shkak të rënies së prodhimit vendor dhe infrastrukturës së vjetër.

Në dy dekadat e fundit, prodhimi i gazit është rritur në mënyrë të konsiderueshme, për shkak të shfrytëzimit të fushës më të madhe të gazit në botë, që njihet si Parsi Jugor. Por, si shumica e fushave të gazit në Iran, prodhimi në Parsin Jugor pritet të bjerë, në mungesë të platformave të reja për shpim.

Edhe sikur Irani të arrinte sot marrëveshje me një partner të huaj për të ndërtuar platforma të tilla – siç ka bërë Katari në pjesën e tij të Parsit Jugor – do t’i kushtonte 25 miliardë dollarë dhe do t’i duheshin pesë vjet për t’i parë rezultatet, thotë Shokri.

Dalga Khatinoglu, eksperte për çështjet e energjisë së Iranit, thotë se pjesa më e madhe e gazit natyror në këtë vend humbet për shkak të rrjedhjeve të gazit, prodhimit joefikas të energjisë elektrike dhe mungesës së objekteve të duhura të magazinimit.

Sipas saj, Irani ka derdhur deri në 20 miliardë dollarë në vit në sektorin e tij të naftës dhe të gazit në fillim të viteve 2000, por kjo shifër është përgjysmuar më 2016 dhe, që atëherë, ka rënë në vetëm 3 miliardë dollarë në vit./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA