Protesta, pa shumë incidente/ Militantët e opozitës hodhën tymuese dhe kapsolle drejt Kryeministrisë

11/02/2023 19:47

Dita për policët në protestë nisi kështu. Teksa disa i kishin lënë pajimet përtokë në pritje të mesditës, të tjerët si Ardian Aluku dhe Ferit Saliu pjesë e FNSH nxitojnë të jenë gati për çdo të surprizë.

Si në çdo protestë të mëparshme. Edhe në tubimin e radhës , nuk mungoi mjeti ujë-hedhës dhe operacionalët që nga distanca filmuan gati tre orë tubimin e opozitës.

Krah më krah në kordonë, apo të ulur në pritje tek Piramida apo në makina, që të gjithë ishin pjesë e një plani masash prej 1200 efektivë, që u angazhuan për të të papriturat e protestës dhe sigurimin e rendit.

Por në krye të 3 orëve protesta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u mbyll me flakje kapsollash, flakadanësh dhe zhurmuesish, që të gjitha të hedhura drejt selisë së qeverisë.

Pas kësaj shkallët e kryeministrisë u kthyen në vendngjarje ku oficerët nisën mbledhjen e gjurmëve të mbetura në kapsolla. Policia tha se shoqëroi tre persona që prishën rendin e sigurinë publike me këto veprime dhe që tentuan të shkatërrojnë pronën.

Por kapsollat më tepër sesa për zhurmë ishin një sinjal i demokratëve për të parathënë se në protestat e ardhshme, fjalët do të zëvendësohen me aksion.

Të hënën edhe policia do të përsërisë të njëjtën rutinë me agjentë që do nxitohen të mbledhin informacione mbi planet e protestuesve që sërish do të thotë kordonë me policë, dhe forca që presin mbas Kryeministrisë.

Përveç muzikës të fundit që u larguan janë efektivët e policisë , që sipas planit të masave duhet të qëndrojnë derisa nga bulevard të largohet protestuesi i fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA