“Na shikoi në fytyrë dhe filloi të qeshë”/ Anëtari i FSK-së rrëfen shpëtimin e 2-vjeçares në Turqi

10/02/2023 13:13

“Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen”.

“Kur janë afruar [ekipet], fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha: ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni'”.

Kështu rrëfen për Radion Evropa e Lirë përvojën e shpëtimit të një vajze 2-vjeçare në Hataj të Turqisë, më 8 shkurt, Egzon Syla, komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, i angazhuar në Turqi, pas tërmetit që e ka goditur këtë vend më 6 shkurt.

Momenti më i vështirë thotë se ishte dëgjimi i zërave dhe thirrjeve për ndihmë, ndërkohë që depërtimi i menjëhershëm nën rrënoja ishte i pamundur.

“E di se dikush po pret ndihmën tënde dhe ti nuk mund të shkosh për ta tërhequr dhe nuk mund të shkosh menjëherë”.

“Sigurisht, momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët [e shpëtimit] këtu ka qenë kur ka dalë fëmija i gjallë, kur, nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme”, thotë Syla, 31 vjeç./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA