Kurti: Jam i bindur që Asociacionin nuk e duan serbët e Kosovës

10/02/2023 16:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, kundër të cilave ai vet tha se protestuar në vitin 2007.

“… prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon Asociacion të tyre. Si zajdenicë [asociacion] komunash pat nisur edhe Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e do Serbia”, tha ai.

Kështu deklaroi Kurti gjatë një fjalimi të mbajtur, pas homazheve që bëri te pllaka përkujtimore e Mon Balajt e Arben Xheladinit, në 16-vjetorin e vdekjes së tyre.

Ai tha se Serbia është në panik, që sa më parë do t’i bëjë bashkë dhjetë kryetarë të komunave që udhëhiqen nga Lista Serbe, “ta shpallin një president zajednice [asociacioni], e me atë ta shkelin ministrin e Qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb”.

“Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste, prandaj Serbia është në panik”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, u emërua në dhjetor të vitit të kaluar në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, pozitë kjo që deri në nëntor mbahej nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili dha dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Më 6 shkurt, Kurti deklaroi se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi gjashtë kushtet për formimin e tij.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë rritur presionin ndaj Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Uashingtoni ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë asociacion që do t’i ngjasonte një Republika Sërpska, siç është në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha në fund të janarit se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA