Aleanca për Shqiptarët, deri tani në opozitë, do të bëhet pjesë e qeverisë maqedonase, duke e shtuar kështu edhe më shumë peshën e faktorit shqiptar në ekzekutivin e vendit fqinj. Lajmi është përcjellë nga  kryetari i kësaj partie, Arben Taravari.

Kjo lëvizje vjen pas bisedimeve disa ditore me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski. Aleanca për Shqiptarët, ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t’i krijojë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe disa parti më të vogla, por që kanë 64 deputetë, apo vetëm 3 më shumë se numri i nevojshëm për funksionimin e shumicës parlamentare. Taravari, tha se pjesëmarrja e kësaj partie në qeveri ka të bëjë me “ruajtjen e kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

“Me parimet e platformës për bashkëpunim me Aleancën e Shqiptarëve, të miratuara nga organet partiake, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve…Pjesëmarrja jonë në qeveri është në funksion të stabilitetit të vendit, miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.

Kësaj force politike do ti kalojnë një post i zëvendëskryeministrit për investimet kapitale, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë, dy pozita të zëvendësministrave të Mbrojtjes dhe Bujqësisë, dy sekretarë shtetërorë, si dhe disa drejtori. Vendimi për pjesëmarrjen e ASH-së në qeveri vjen në kohën kur opozita maqedonase, që drejtohet nga partia VMRO-DPMNE, po përgatitej për mocionin e votëbesimit të qeverisë, duke llogaritur edhe në votat e deputetëve të opozitës shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA