“U godit liria e fjalës”/ AMA dënon dhunën ndaj gazetares dhe operatorit të “Fiks Fare”: Të hetohet ky rast i rëndë

09/02/2023 20:39

Autoriteti i Mediave Audiovizive, përmes një reagimi, ka dënuar dhunën ndaj grupit te xhirimit të “Fiks Fare”, që u sulmua teksa raportonte gërryerjen e paligjshme të lumit dhe marrjen e materialeve inerte në Nikël të Krujës.

Reagimi i AMA-s:

Pamjet e transmetuara të mërkurën në mbrëmje (08.02.2023), në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, janë shumë shqetësuese për lirinë e ushtrimit të profesionit nga një grup xhirimi që hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit.  

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës. 

Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre. 

AMA pret me padurim hetimin e detajizuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë. 

Pasi faktuan gërryerjen e paligjshme të lumit dhe marrjen e materialeve inerte në Nikël, gazetarët e “Fiks fare” u përballën me persona me armë, të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit,të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.

Por jo vetëm aq, ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejtë gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, sepse lumi është i tyre. Është në pronë të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA