Në Shqipëri ka mbërritur i Ngarkuari i Posaçëm i Qeverisë Britanike për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach.
Në morinë e takimeve të parashikuara në Tiranë, Lordi Stuart Peach është pritur edhe nga presidenti republikës Bajram Begaj, i cili vlerësoi vëmendjen që qeveria britanike i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me zhvillimet më të fundit në rajon, Presidenti Begaj citohet të jetë shprehur se rajoni po kalon momente të vështira sa i përket paqes dhe sigurisë, të ndikuara edhe nga influenca ruse tek disa prej aktorëve rajonalë.
Duke u ndalur tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Begaj, vlerësoi vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve.
Të dy bashkëbiseduesit thotë presidenca në njoftimin për mediat, nënvizuan rëndësinë e madhe që ka ruajtja e unitetit, solidaritetit dhe kohezionit mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenca thotë se Lord Peach nënvizoi interesin dhe vëmendjen e shtuar të Qeverisë britanike për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Top Channel