Dalja në skenë e “Aktivistit”, aplikacionit i cili u ngrit nga Partia Socialiste për të promovuar punët e Qeverisë ka shqetësuar opozitën në prag të zgjedhjeve lokale.

Ndryshe nga Meta dhe Berisha që i kërkuan drejtësisë nisjen e hetimeve për krim zgjedhor, grupimi Alibeaj dorëzoi në Kuvend ligjin që synon të ndëshkojë me burg punonjësit e shtetit që bëhen pjesë e aplikacionit.

“Propozimet synojnë të ndalojnë ligjërisht çdo mundësi, çdo tentativë të qeverisë apo të çdo strukturë partiake, të detyrojnë punonjësit dhe nëpunësit publikë të shantazhohen për qëllime politike, deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja.

Demokratët heqin një paralele mes Aktivistit dhe Patronazhistit, duke akuzuar mazhorancën për presion politik në prag të betejës së pranverës, pasi pas çdo like dhe share fshihet një shpërblim, por për socialistët akuzat e kundërshtarit politik nuk qëndrojnë. Vetë Edi Rama ironizoi shqetësimin e opozitarëve duke u shfaqur si dikur me Patronazhistët krah për krah me Aktivistët.

Rrjedhja në publik e listës së përdoruesve të Aktivistit ka bërë që drejtësisë ti drejtohen socialistët  për falsifikimin  dhe manipulim të të dhënave.

Top Channel