Blloku europian është vënë në lëvizje për të mbledhur ndihma konkrete financiare për Turqinë e Sirinë, të cilat u goditën nga tërmete shkatërrimtare ditën e hënë. Me këtë në mendje, krerët e bllokut vendosën të organizojnë në muajin mars një konferencë donatorësh e cila është parashikuar të mbahet në Bruksel e do të mobilizojë fonde nga bashkësia ndërkombëtare në mbështetje të popullit turk e atij sirian.
Njoftimi i BE-së sqaron se qëllimi i konferencës së nivelit të lartë, e cila do të jetë e hapur për vendet anëtare të BE-së, vendet fqinje, anëtarët e OKB-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara, është që të koordinojë reagimin e donatorëve e të mbledhë fonde për të mbështetur rimëkëmbjen e këtyre dy vendeve.
Nismën për organizimin e konferencës e kryesuan presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristerson, vendi i të cilit ka aktualisht frerët e drejtimit të unionit. Von der Leyen tha se janë të tronditur nga pasojat shkatërruese të tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë, dhe se prioritet tani për tani është shpëtimi i sa më shumë jetëve.
“Për këtë arsye, është aktivizuar mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së, i cili deri më tani ka dërguar 31 ekipe kërkim-shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende anëtare. Por, ne po u dërgojmë një mesazh qytetarëve të Turqisë dhe Sirisë: BE-ja do të mbështesë komunitetet tuaja, sepse askush nuk duhet të lihet vetëm në tragjedi si kjo.”- tha Von der Leyen
Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.
Top Channel