Opozita turke për tërmetin: Erdogan është përgjegjës për këtë (fotot)

08/02/2023 18:00

Zemërimi duket se është në rritje në Turqi për ato që mund të perceptohen si ‘dështimet e qeverisë’ në përgatitje për tërmetet, teksa mijëra njerëz kanë vdekur të hënën në jugun e vendit dhe veriun e Sirisë fqinje.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftonte shifrat prej 10 000 të vrarësh gjatë vizitës në rajonet e prekura.

Por zemërimi po rritet si në terren dhe politikisht, ndaj reagimit të qeverisë, shkruan rrjeti britanik BBC.

Në provincën turke të Iskenderun, Arzu Dedeoglu tha se dy mbesat e saj janë të bllokuara nën rrënoja, teksa shtonte se familja kishte organizuar vetë një skavator privat për largimin e inerteve, por zyrtarët thanë se nuk do të lejohet ta përdorë.

“Ne pritëm deri mbrëmjen vonë por askush nuk erdhi, prandaj morën një skavator me mundësitë tona. Kemi dy fëmijë nën rrënoja, por ata nuk na lënë ta përdorim, kemi dy vajzat e motrës time Ayşegül e İlayda. Ato do të kenë vdekur tani …”

Raste të tilla duket se nuk kanë qenë të pakta dhe shumë akuzojnë qeverinë për reagim të ngadaltë.

“Nëse ka një person përgjegjës për këtë ai është Erdogan,” tha Kemal Kilicdaroglu, kreu i partisë kryesore opozitare turke.

Erdogan ka njoftuar tre muaj gjendje emergjence në 10 provincat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar.

Në zgjedhjet presidenciale të majit presidenti përballet me opozitarin Kilicdaroglu, i cili është ankuar për manipulim të gjendjes nga tërmeti, nga agjencitë e “propagandës” së presidentit.

Kilicdaroglu  tha se qeveria e Erdogan, 20 vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 1999 “nuk është ende përgatitur për tërmetet.”

“Ku kanë shkuar taksat e tërmeteve që mblidhen nga viti 1999?” tha për rrjetin AFP, 61 vjeçari Celal Deniz, në Gaziantep, i cili ka vëllanë dhe nipërit tragjikisht të bllokuar nën rrënoja, shkruan BBC.

FOTO GALERI
1/3
Kilicdaroglu tha se qeveria e Erdogan, 20 vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 1999 "nuk është ende përgatitur për tërmetet."

Top Channel