Gruaja ‘e vdekur’ 66 vjeçare gjendet gjallë duke kërkuar të marrë frymë e mbyllur në thesin e funeralit (fotot)

08/02/2023 16:19

Një grua është gjetur teksa tentonte të merrte frymë nga qesja e kufomës ku e kishin futur, duke besuar se kishte vdekur.

66-vjeçarja rezidente e shtëpisë së të moshuarve Glen Oaks në Iowa, SHBA kishte qenë në gjendje të rëndë që prej dhjetorit 2022, thanë zyrtarët vendas.

Më 3 janar një punonjëse e qendrës tha se kishte kontrolluar pulsin e gruas dhe nuk kishte gjetur shenja jete.

Ajo tha se pacientja i kishte sytë hapur por “e ndjente se rezidentja kishte ndërruar jetë.”

“Ajo kishte kërkuar për puls te arteria karotide në qafë dhe e kishte dëgjuar në gjoks. Nuk kishte ndjerë puls dhe rezidentja nuk merrte frymë”, thuhej në raport.

Ajo shtoi se besonte se pacientja kishte ndërruar jetë dhe thirri infermieren.

Infermierja gjithashtu tha se nuk ndjente zhurmë frymëmarrjeje dhe as puls duke përdorur stetoskopin.

Anëtarët e familjes së gruas u njoftuan bashkë me shtëpinë e funeralit të cilët erdhën herët në mëngjes, rreth një orë pas njoftimit për vdekjen. Ata e vendosën atë në një këllëf trupi dhe më pas e mbyllën me zinxhir.

Por rreth një orë më vonë, në 8.26 të mëngjesit, drejtori i funeralit hapi thesin e trupit dhe pa se gjoksi i gruas lëvizte dhe tentonte të merrte frymë me vështirësi.

Mjekët u thirrën përsëri, të cilët raportuan se gruaja kishte sytë e fiksuar në një vend dhe nuk reagonte e as fliste.

Gruaja ishte dërguar në spital dhe më pas u rikthye në qendrën e kujdesit, por vdiq dy ditë më vonë me familjarët pranë saj.

Zyrtarët e Iowa lëshuan dy urdhra shkeljeje për shtëpinë e kujdesit Glen Oaks, duke i gjobitur me $10,000.

Ata thanë se qendra kishte dështuar në trajtimin me dinjitet të rezidentëve të saj dhe të dhënies së kujdesit të përshtatshëm.

Drejtoresha e qendrës Lisa Eastman, tha: “Kemi qenë në komunikim me familjarët e rezidentes në lidhje me çështjen. Ne kujdesemi thellësisht për pacientët tanë, punonjësit tanë janë të trajnuar gjerësisht për kujdesin e fundit të jetës dhe në rast vdekjeje të rezidentëve”, tha Eastman.

FOTO GALERI
1/3
Më 3 janar një punonjëse e qendrës tha se kishte kontrolluar pulsin e gruas dhe nuk kishte gjetur shenja jete.

Top Channel