Fermerët francezë vijnë me traktorë në Paris për të protestuar ndaj kufizimit të prodhimeve (fotot)

08/02/2023 19:45

“Po na ndalojnë të prodhojmë ushqime cilësore, lokale”, tha një fermer nga Seine et Marne që ka ardhur të demonstrojë me traktorin e tij në sheshin ‘Invalides’ në Paris kundër kufizimeve të pesticideve.

Sindikata e fermerëve FNSEA, tha sot se rreth 500 traktorë e 2,000 fermerë kanë ardhur të protestojnë për vendimin e qeverisë për ndalimin e përdorimit të insekticideve neonikotinoidë, duke lejuar importin e produkteve që nuk plotësojnë kriteret vendase të ushqimit.

“Sot ne po flasim për sovranitetin e ushqimit, kjo i përfshin të gjithë dhe ne ishim të lumtur kur gjenim produktet bujqësore vendase në dyqane”, tha fermeri protestues Cyril Milard, për AFP.

Ai shtonte më tej se importet e ushqimit janë rritur më 35% në dy vjet, prej pengesave ndaj produkteve cilësore vendase, duke lejuar importe që nuk plotësojnë kriteret strikte të ushqimit në Francë.

“Në disa sektorë si panxhari, ka dy ose tre vjet pa hulumtime për pesticidet, ndërsa ky ndalim i neonikotinoidëve i vuri kapakut të gjithave”.

Fermeri shtonte më tej: “Në sektorë të tjerë ato janë eliminuar si për shembull qershitë. Kolegë të mi fermerë po shkulin pemët e qershive sepse tani importohen nga Turqia”.

“Ky model i quajtur ‘organik’ nuk mund të imponohet në të gjitha sektorët bujqësorë, kemi nevojë për bujqësinë tradicionale. Nuk e kuptoj sesi mund të mendojnë se mund të bëjmë bujqësi pa pesticide”.

Gregor Lamirault, fermer drithi në Eure-et-Loir tha: “Ka një paaftësi me administratën që kërkon të kontrollojë çdo gjë në bujqësi, ata nuk kanë mirëkuptim për atë që vendosin”.

“Ne kemi përshtypjen se çdo gjë po bëhet për të dëmtuar bujqësinë dhe sovranitetin ushqimor. Përveç kësaj ata importojnë produkte që nuk respektojnë standardet tona, të prodhuara me metoda që janë krejtësisht të ndaluara këtu.”

FOTO GALERI
1/7
Sindikata e fermerëve FNSEA, tha sot se rreth 500 traktorë e 2,000 fermerë kanë ardhur të protestojnë për vendimin e qeverisë për ndalimin e përdorimit të insekticideve neonikotinoidë

Top Channel