SPAK vë nën akuzë Mediun për çështjen “Gërdeci”/ Ish-ministri i mbrojtjes do gjykohet për shpërdorim detyre

08/02/2023 09:49

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes gjatë kohës kur shpërtheu fabrika e municioneve në Gërdec, do të dalë para gjykatës anti-korrupsion për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim me ushtarakë komandues.

SPAK e dorëzoi dosjen kundër ish-funksionarit duke kërkuar gjykimin e tij pasi dyshon se ish-ministri bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë duke nxjerrë akte nënligjore që dëmtuan shtetin në favor të kompanive SAC dhe Albademil, që të dyja të nënkontraktuara për demontimin e municioneve në Gërdec.

Një urdhër me numër 550 i 2007-tës dhe një projekt relacion që ish funksionarët e konsiderojnë si domosdoshmëri urgjente demontimin , janë dy nga momentet ku përqendrohet SPAK.

Më herët, gjykata në këtë pikë ka shpallur fajtorë është ish-zyrtarë të tjerë, nëpunës dhe ish-ushtarakë.

Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda e cila humbi fëmijën në tragjedinë që ju mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por ndërsa fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë në gjykim themeli, SPAK deklaron se ka kryer verifikime mbi procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga ministria e mbrojtjes dhe Meico tek shoqëritë e huaja Evdin me seli në Qipro dhe ‘AEY ” me seli në Florida.

Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh, dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Berisha.

Veçimi i dosjes për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, në Gërdecin e hapur ende pritet të hedhë dritë mbi personazhe të tjerë ende të pa marrë nën hetim.

Top Channel