​Ambasada amerikane në Prishtinë ul flamurin në gjysmështizë

08/02/2023 18:14

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka ulur në gjysmështizë flamurin amerikan këtë të mërkurë, në nder të viktimave që humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Turqi.

“Pas vendimit të presidentes Osmani që sot të jetë ditë zie për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, iu bashkuam Qeverisë së Kosovës në uljen e flamurit tonë në gjysmështizë në respekt dhe përkujtim për ata që humbën jetën nga kjo ngjarje tragjike”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie shtetërore në Kosovë, në shenjë solidarizimi me Turqinë dhe Sirinë, të cilat janë goditur nga një tërmet i fuqishëm që ka lënë të vdekur mijëra persona.

“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen. Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar. Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA