Të paktën 20 militantë të ISIS-it janë arratisur nga burgu në Rajo të Sirisë, duke shfrytëzuar dëmtimin e godinës për shkak tërmetit vdekjeprurës të një dite më parë.
Burgu i kontrolluar nga policia ushtarake strehon rreth 2,000 të dënuar, 1.300 prej të cilëve mendohet të jenë luftëtarë të ISIS-it, pohoi një burim për AFP-në.
“Pas tërmetit që goditi zonën kufitare ne Turqinë, të burgosurit u rebeluan dhe arritën të merrinin nën kontroll disa pjesë të ndertësës. Rreth 20 të burgosur u larguan… që besohet se janë anëtarë të grupit të dhunshëm militant të Shtetit Islamik”, vazhdon burimi.
Tërmeti i magnitudës 7.8, i cili u pasua nga dhjetëra paslëkundje në rajon, shkaktoi dëme në burg, duke carë mure e dyer. Obervatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani pohoi se nuk ka mundur të verifikonte nëse të dënuarit janë arratisur vërtet, por ai konfirmoi se aty ka pasur një kryengritje vërtet.
Të paktën 1,444 persona humbën jetën në Siri pas tërmetit të fuqishëm, që epiqendrën e pati në Turqinë jugperëndimore. Incidenti në Rajo vjen pas një sulmi të ISIS-it në dhjetor ndaj një kompleksi sigurie në ish-kryeqytetin de facto të grupit sirian, Raqa. Objektivi i asaj mësymjeje ishte të liroheshin ekstremistët që mbaheshin të burgosur atje. Sulmi nuk ia arriti qëllimit, por prej tij humbë jetën gjashtë anëtarë të forcave të sigurisë të udhëhequra nga kurdët.
Konflikti i brendshëm në Siri filloi në 2011-tën me shtypjen brutale të protestave paqësore, duke u përshkallëzuar më pas deri në pikën e tërheqjes në këtë vorbull të fuqive të huaja dhe xhihadistëve global. Gati gjysmë milioni njerëz u vranë ndërsa mijëra të tjerë u detyruan të shpërngulen, shumica prej tyre drejt Turqisë fqinjë.
Top Channel