Të bllokuarit nën rrënoja vijojnë të vdesin nga i ftohti në katastrofën e tërmetit në Turqi, Siri (fotot)

07/02/2023 15:40

Një baba i shtangur nga dhimbja shihej sot që mbante dorën e bijës së tij të vdekur të zënë nënë rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi, vendi që bashkë me Sirinë u shokuan nga tërmeti katastrofik me mijëra të vdekur i te henes.

Vajza e vogël besohet se është mes të paktën 5,100 vdekjeve të konfirmuara deri tani në dy vendet, teksa ende banorë të bllokuar nën rrënoja vijojnë të shuhen pa mundur të shpëtohen prej masës gjigante të katastrofës.

Dy tërmete të fuqishme goditën dje rajonin kufitar mes dy vendeve, ndërsa një tjetër goditje sizmike me magnitudë 5.8 goditi mëngjesin e sotëm teksa vijonin përpjekjet e kërkim shpëtimit.

Në videot e dërguara nga vendngjarja dëgjoheshin njerëz që thërrisnin për ndihmë nga poshtë rrënojave.

Stuhia dimërore dhe temperaturat nën zero kanë penguar përpjekjet e shpëtimit dhe shkurtuar jetën e të mbijetuarve nën ndërtesat e shembura, teksa ndihma nga e gjithë bota janë nisur drejt vendit të katastrofës për të shpëtuar ato jetë që do të mbeten.

Burimet zyrtare thanë se numri viktimave mund të arrijë deri në 20,000, ndërsa miliona vetë mund të preken nga pasojat, mes të cilëve mbi 1 milionë fëmijë, tha OBSH.

Në një prej qyteteve turke të goditura më rëndë Hatay, rezidentët sinjalizonin për thirrjet e të bllokuarave që po ngrinin nga i ftohti poshtë rrënojave.

Në disa video shiheshin fëmijë të pashpresë që nxirreshin nga kollonat e shtrembëruara të ndërtesave të shembura.

Foto tragjike shiheshin nga qyteti Kahramanmaras, pranë epiqendrës së tërmetit, ku babai Mesut Hancer me një xhaketë ndriçuese portokalli mbante dorën e bijës së tij të vdekur nga poshtë rrënojës së betonit.

Trupi i viktimës ishte i shtypur nën një bllok betoni ndërsa mund të shihej një pjesë e fytyrës së saj.

Tërmeti i magnitudës 7.8 i mëngjesit të të hënës goditi teksa rezidentët ishin në gjumë, duke mbjellë vdekje e shkatërrim në një hapësirë me rreze rreth 200 milje.

“Ne dëgjojmë zëra që thërrasin për ndihmë”, tha Ali Silo, dy të afërm të të cilit nuk mund të shpëtoheshin në qytezën turke të Nurdagi.

Ndërsa në qytezën turke të Sanliurfa, 30 milje larg kufirit sirian, kërkuesit punonin në qetësi teksa përpiqeshin të dëgjonin thirrjet e të mbijetuarve në një ndërtesë të shembur shtatë-katëshe ku janë zhdukur rreth 35 vetë.

Ndërkohë mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë, duke fjetur në tenda apo makina pas shembjes së ndërtesave në të dy anët e kufirit, duke shtuar mjerimin e sjellë aty më herët nga lufta, militantizmi, kriza e refugjatëve  dhe një përhapje e fundit e sëmundjeve ngjitëse.

Edhe ata shtëpitë e të cilëve nuk u shkatërruan nga tërmeti, përballen me pasiguri pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme.

Presidenti Tajip Erdogan njoftoi dje se numri i viktimave ka kaluar 5000 ndërsa të plagosurit mbi 22 000.

Gjendja e emergjencës do të zgjasë tre muaj në krahinat e prekura.

Ai shtoi se 70 shtete kanë ofruar ndihmë për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe Turqia do të hapë hotelet e rezorteve turistike në Antalya, për të strehuar përkohësisht të prekurit.

FOTO GALERI
3/19
Dy tërmete të fuqishme goditën dje rajonin kufitar mes dy vendeve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA